2011-02-02 18:32:01

Kuptimi i jetës rregulltare: me ne, skalabriniania shqiptare, motër Ana Marku


(02.02.2011 RV)Më se 137 mijë meshtarë, rreth 768 mijë motra rregulltare e 48 mijë murgesha; krah për krah tyre, 3. 600 anëtarë të Instituteve shekullare, 520 diakonë të përhershëm, 280 anëtarë të Instituteve shekullare laike. Kjo është ‘harta’ e rregulltarëve dhe e rregulltareve që jetojnë e kryejnë veprimtarinë e tyre misionare në botë. Për mijëra rregulltarët, burra e gra, sot ishte ditë feste: më 2 shkurt, në përkim me solemnitetin liturgjik të Paraqitjes së Krishtit në tempull, kremtohet edhe Dita e Jetës rregulltare: përgjigje e plotë dhe përfundimtare, pa kushte e plot pasion që i jepet thirrjes së Zotit. E kur heq dorë nga gjithçka tjetër, për të ndjekur Krishtin, kur përballon për dashuri të Tij çdo flijim, atëherë edhe rregulltari, ashtu si Mësuesi Hyjnor, bëhet shenjë kundërshtie, sepse mënyra si mendon e si jeton shpesh herë është në kundërshtim të plotë me logjikën e botës. Zgjidhet Krishti. E pikërisht një guxim i tillë prek thellë shumë njerëz që kanë etje për të vërtetën, të cilët tërhiqen fuqimisht nga ata që nuk ngurrojnë të japin jetën për çështjen në të cilën besojnë. Por, të mos e harrojmë kurrë se jeta rregulltare është dhuratë hyjnore e se është Zoti ai që i prin, sipas planeve të tij.
Prandaj liturgjia e sotme është posaçërisht sugjestive, sepse përshkohet nga simboli i dritës. Proçesioni i qirinjve, në fillim të kremtimit, simbolizon Krishtin, që është dritë e botës. Krishti shkëlqen në natën e historisë duke ndriçuar çdo njeri që kërkon të vërtetën. E rregulltarët e bëjnë të ndriçojë këtë dritë me jetën e tyre, në mënyrë që kudo në botë të vezullojë një rreze, që del nga Zemra e Krishtit.
Jeta rregulltare është dëshmi guximtare e krijuese në botën e sotme. Njëkohësisht edhe sfidë përballë njeriut bashkëkohor. Në të katër anët e botës, rregulltarët e rregulltaret u përgjigjen, me jetën e tyre të dhuruar për dashuri, shpërthimeve të vazhdueshme të urrejtjes e të dhunës, që përflakin tokën tonë. I përgjigjen, me pastërtinë e tyre shpirtërore, hedonizmit dhe egoizmit që vijon të përhapet kudo. Me varfërinë dhe dashurinë për të varfërit, të vegjlit e të braktisurit, i japin përgjigje konkrete etjes për para e për pushtet që pushton sot shpirtrat e shumë njerëzve. Me dhuratën e nënshtrimit të tyre, të zgjedhur me vullnet të lirë, i përgjigjen relativizmit dhe individualizmit, që rrethojnë shoqërinë tonë, duke e bërë të shterpët e pa shpresë. Kjo pra, është dëshmia themelore e rregulltarëve dhe rregulltareve në botën e sotme. Për një dëshmi konkrete të jetës rregulltare, ftuam në mikrofonin tonë skalabrinianen shqiptare, Ana Marku:RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.