2011-02-02 17:53:55

Komisioni hetimor për 21 janarin dëgjon Ina Ramën dhe Bahri Shaqirin


(02.02.2011 RV)Ngjarjet e 21 janarit vazhdojnë të ndezin politikën shqiptare. Sot, Komisioni Hetimor dëgjoi dëshminë e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama dhe të Drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit, Bahri Shaqiri. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha deklaroi ndërkaq se puna për zbardhjen e tabulateve të katër gazetarëve, të përfshirë në atë, që ai e quan “puç kundër shtetit”, do të vazhdojë. Pretendimeve se gazetarët nuk mund të hetohen në këtë mënyrë, Berisha u është përgjigjur, duke theksuar se hetimet nuk kanë të bëjnë me profesionin e tyre si gazetarë, por me pjesëmarrjen në sulmin kundër institucioneve të vendit.
Kreu i opozitës, Edi Rama lajmëroi se të premten do të organizohen protesta të tjera në katër qytete: Tiranë, Korçë, Vlorë dhe Lezhë, pavarësisht se policia, siç deklaroi dje Ministri i Brendshëm, nuk do të garantojë mbarëvajtjen e tyre. Në dëshminë e tij para Komisionit Hetimor për 21 janarin, ministri Basha tha edhe se grupi më i ashpër i demonstruesve ishte i paguar. Nesër, Komisioni pret presidentin e Republikës, Bamir Topi, i cili njoftoi se nuk do t’i përgjigjet ftesës. Nga ana e tij, Edi Rama sqaroi se është gati për dialog, me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, por protestat nuk do të ndalen. Nesër, mbërrin sërish në Shqipëri i dërguari i Bashkimit Evropian, Lajçak, i cili pret që palët të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të përgatiten si duhet për zgjedhjet lokale të 8 majit.







All the contents on this site are copyrighted ©.