2011-02-02 18:55:38

Drita, profecia dhe urtia janë cilësitë e njerëzve, që ia kanë kushtuar jetën Zotit: kështu Papa në Mbrëmësoret e Paraqitjes së Krishtit në Tempull


(02.02.2011 RV)Filloi me një imazh të fuqishëm marrë nga Ungjilli i Paraqitjes së Krishtit në Tempull dhe përfundoi me një lutje të ndjerë drejtuar Zojës së Bekuar, homelia e sotme e Papës, në Lutjet Mbrëmësore të festës, të cilat i kryesoi në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Benedikti XVI e përqëndroi reflektimin e tij në tri pika kryesore, tri simbole, që karakterizojnë paraqitjen e Krishtit në tempull nga Maria e Jozefi, për t’ia ofruar Zotit. Drita, profecia dhe urtia, uroi Ati i Shenjtë, janë edhe cilësitë e personave, që ia kanë kushtuar vetveten Zotit, përmes jetës së shuguruar.RealAudioMP3

Papa pikturoi me fjalë tablonë e hyrjes së Krishtit Fëmijë në tempullin solemn të Jeruzalemit, në mesin e një ecejakeje njerëzish, të gjithë të impenjuar: meshtarët e levitët me turnet e shërbimit, shtegtarët e besimtarët me dëshirën për të takuar Hyjin e Izraelit. Askush nuk vëren se ka pranë Mesinë, përveç Simeonit e Anës. Dy pleq, të shndritur nga Shpirti Shenjt, kundrojnë dritën e Zotit, që erdhi të ndriçojë botën. Simeoni dhe Ana e kuptojnë se është pikërisht ai Shëlbuesi i shumëpritur.
Duke u nisur nga ky kuadër i festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, e cila u zgjodh nga Papa Gjon Pali II për të kremtuar edhe Ditën e Jetës së Shuguruar, Benedikti XVI u propozoi të pranishmëve tri reflektime. Së pari, vërejti se ikona ungjillore e festës përmban simbolin themelor të dritës, e cila rrezatohet nga Jezusi te Maria e Jozefi e te Simeoni e Ana e, përmes tyre, te të gjithë:
“Një përvojë të veçantë të dritës, që rrezatohet nga Fjala e mishëruar, e përjetojnë sigurisht të thirrurit në jetën e shuguruar. Vërtet, marrja e kushteve ungjillore i bën ata shenjë e profeci për bashkësinë e vëllezërve e për botën”.
Së dyti, vazhdoi Papa, ikona ungjillore e Paraqitjes së Krishtit në Tempull, na vë përpara profecisë, dhuratë e Shpirtit Shenjt. Siemoni e Ana e parashohin fatin e Jezusit dhe e shpallin misterin e vdekjes e të ringjalljes së Tij si shëlbim për të gjithë botën. Rregulltarët, tha Benedikti XVI, duhet të japin një dëshmi të tillë profetike, me jetën e tyre kundruese dhe aktive:
“Rregulltarët dhe rregulltaret duhet ta venë Zotin në vend të parë, të shfaqin pasionin për Ungjillin e praktikuar si formë jetese dhe t’ua shpallin atë të varfërve dhe të fundmëve të tokës… Profecia e vërtetë lind nga Zoti, nga miqësia me Të, nga dëgjimi i Fjalës së Tij në rrethanat e ndryshme të historisë. Në këtë mënyrë, rregulltarët, në jetën e tyre të përditshme nëpër rrugët e njerëzimit, tregojnë se Ungjilli e Mbretëria e Hyjit është që tani e pranishme e në veprim”.
Reflektimi i tretë i Benediktit XVI tërhoqi vëmendjen ndaj urtisë së Simeonit e të Anës, gjithnjë në kërkim të fytyrës së Zotit, të shenjave e të vullnetit të Tij. E që këtej, mendimi për rregulltarët:
“Jeta e shuguruar është në botë e në Kishë shenjë e dukshme e këtij kërkimi të fytyrës së Zotit e të rrugëve, që çojnë drejt Tij… I shuguruari dëshmon pra, impenjimin e gëzueshëm e të frytshëm në kërkimin e vullnetit hyjnor, me etje e urti”.
Papa i këshilloi rregulltarët e rregulltaret ta gjejnë frymëzimin, urtinë e ushqimin për jetën e shuguruar në dëgjimin e Fjalës së Zotit. E duke kujtuar epokën, në të cilën jetojmë, me përpjeket për mënjanimin e fesë, me relativizmin që prek vlerat themelore, Benedikti XVI tha:
“Kjo kërkon që dëshmia jonë e krishterë të jetë e ndritshme dhe koherente e, që përpjekjet tona edukative të jenë gjithnjë e më të kujdesshme e më bujare. Veprimtaria juaj apostolike… të bëhet impenjim jete, i cili, me pasion të vazhdueshëm, të arrijë te Urtia, e kuptuar si e vërtetë dhe bukuri, si “shkëlqim i së vërtetës”. Të dini t’i orientoni drejt ‘jetës së mirë të Ungjillit’ inteligjencën dhe zemrat e burrave e grave të kohës sonë, me urti dhe me besim në mundësitë e pafundme të edukimit të vërtetë”.
Një lutje e përmallshme dhe e ndjerë drejtuar Zojës së Bekuar, mbylli homelinë e Papës Benedikti XVI, në solemnitetin e Paraqitjes së Krishtit në Tempull:
“O Mari, Nënë e Kishës,
në duart e tua i lëshoj sot të gjithë rregulltarët,
që ti t’u nxjerrësh hirin e dritës hyjnore;
hirin e jetës në dëgjimin e Fjalës së Zotit,
në përvujtërinë e ndjekjes së Krishtit,
Birit tënd e Zotit tonë,
në pritje të Shpirtit Shenjt:
për të hapur zemrat
me gëzimin e përditshëm të këngës sate: Magnificat,
Zemra ime madhëron Zotin!
Kështu Kisha të ndërtohet me shenjtërinë e jetës
së këtyre bijëve e bijave tua,
në urdhërimin e dashurisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.