2011-02-02 18:31:22

Aktualiteti i jetës rregulltare, sipas motër Enrika Rozanës


(02.02.2011 RV)Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Benedikti XVI përshëndeti të gjithë ata që, duke bërë kushtet e pastërtisë, të varfërisë e të bindujes, ecin në rugën e shenjtërisë”, domethënë të gjithë rregulltarët e botës, në Ditën që u kushtohet. Ndërmjet tyre, motra Enrika Rozana, zëvendës-sekretare e dikasterit të Vatikanit për njerëzit e përkushtuar, në mikrofonin tonë:


Përgjigje: - Jeta rregulltare, jetë e ecjes në gjurmët e Krishtit, është dëshmi e vetë mësimeve të Ungjillit. Kush e zgjedh këtë rrugë, do të thotë se ka vendosur të jetojë plotësisht në përkim me Lajmin e mirë, me kërkesat, gëzimin, premtimet, arsyet dhe shpresën e krishterë.

Pyetje: - Gjon Palin II e shikon kushtin e pastërtisë, të varfërisë e të bindjes si sfidë profetike e si ilaç shpirtëror në kohën tonë. Ç’mund të na thoni për gjendjen aktuale të jetës rregulltare?

Përgjigje: - Duke lexuar brenda e jashtë statistikave, që flasin për jetën rregulltare në Kishë në vende të ndryshme të botës, diku në rënie e diku në lulëzim, dëshiroj të them se jeta rregulltare sot jeton një epokë të re, në të cilën aktualizohet modeli i saj historik. Rregulltarët, duke pasur parasysh detyrën e tyre kryesore, kumtimin e Fjalës së Zotit, sot ecin përkrah realiteteve të tjera të Kishës, me hapin e kulturave të ndryshme të botës.

Pyetje: - Flitet për urgjencë edukative, që ndikon shumë edhe në thirrjet e reja për t’ia kushtuar jetën Zotit, në të gjitha format e përkushtimit. Cilat janë strategjitë më të përshtatshme, që e ndihmojnë njeriun të kuptojë se jeta vetë është thirrje, është dhuratë e Zotit?

Përgjigje: - Më duket se, në radhë të parë, duhet ecur në një rrugë, ku ke gjithnjë përkrah tjetrin, me ‘T’ të madhe. Domethënë, Zotin. Të rinjtë e botës së sotme flasin një gjuhë të copëzuar e kalimtare; ne kemi nevojë për diçka që ka aromën e amshimit, kemi nevojë jo për troje të lëvizshme, por për shkëmbin e fortë, ku të rinjtë mund t’i mbështesin mirë këmbët, pa frikën e rrëzimit nga çasti në çast.

Pyetje: - Është akoma aktuale jeta rregulltare, përkushtimi i plotë ndaj Zoti e të afërmit?

Përgjigje: - Do të thosha se është më se aktuale, pikërisht sepse të rinjtë e sotëm kërkojnë kuptimin e plotë të jetës. E kush mund t’i japë kuptim jetës, më shumë se Jezusi? Kush mund t’i ndihmojë të ecin në rrugën e drejtë, më mirë se Ai? Kush mund t’u dhurojë atë lumturi, që di ta dhurojë vetëm Zoti? Natyrisht, Krishti nuk premton jetë të lehtë, por të lumtur, sigurisht. E kjo, sepse thirrja vërtet dhurohet, por edhe fitohet, duke ua vënë mirë veshin kumteve të ndryshme, që vijnë nga toka e, sidomos, nga qielli!








All the contents on this site are copyrighted ©.