2011-02-01 13:22:00

Po punohet për ditën e lumnimit të Papës Gjon Pali II


(01.02.2011 RV)Në Vikariatin e Romës hapet një zyrë-kabinë regjie, nën kryesinë e kardinalit Agostino Valini, që do të punojë për përgatitjen e kremtimeve me rastin e lumnimit të Papës Gjon Pali II, më 1 majin e këtij viti. Për atë datë priten rreth 2 milion besimtarë, nga çdo anë e botës, prandaj, që tani, Vatikani në bashkëpunim me Komunën e kryeqytetit italian, po merr masat e nevojshme. Do të ngrihen dy kampuse për strehimin e të rinjve, ndërsa hotelet kanë lajmëruar se nuk kanë më vende për atë ditë. Lumnimi i Papës Vojtila do të bëhet në të njëjtën ditë me koncertin e madh të 1 majit, që tradicionalisht mbahet në Romë për festën e punëtorëve, në sheshin e Shën Gjonit në Lateran, prandaj kryeqytetit do t’i duhet të përballojë një valë të jashtëzakonshme turistësh. Përgatitjet mbulojnë dy ditë kremtimesh. Më 30 prill, e shtunë, do të organizohet një Mbrëmje lutjesh në Circo Massimo, për ta lënë sheshin e Shën Pjetrit për të nesërmen. Në Circo Massimo parashikohet të derdhet një fluks i paparë me “papaboys”, që do të vijnë kryesisht nga Polonia.








All the contents on this site are copyrighted ©.