2011-02-01 15:48:23

Papa i shkruan Kongresit latinoamerikan të thirrjeve: dëshmia e fesë e Kishës i nxit të rinjtë të ndjekin Krishtin


(01.02.2011 RV)Thirrja për meshtari ose për jetën rregulltare nuk është fryt i strategjisë njerëzore, por primat i jetës shpirtërore. Kështu pohon Benedikti XVI në mesazhin për Kongresin e dytë kontinental latinomarikan të thirrjeve, që filloi dje në Kartago të Kosta Rikës e do të vazhdojë deri të shtunën.
Në vazhdën e reflektimeve të tij të fundit, Papa thekson se për të fituar burra e gra për çështjen e Ungjillit nuk duhet mendja e ndonjë strategu, por zemra të dashuruara me Zotin. Benedikti XVI e këshillon Kishën e Amerikës Latine të kujdeset për jetën shpirtërore të personave, që ndjejnë thirrjen për meshtari. Më të rinjve u duhet krijuar mundësia t’ia hapin zemrën Krishtit, i vetmi, që mund t’u japë plotësinë e jetës. Të mos mendojmë, vazhdon Papa, se mund t’ia dalim me forcat tona. Duhet të jemi më të përvujtë e të shkojmë drejt Zotit, i cili nuk i planifikon thirrjet për meshtari siç do të bënte një strateg, por na i jep ato si dhuratë.
Aspekti tjetër, për të cilin duhet të kujdeset Kisha, është dëshmia. Vërtet, numri i thirrjeve është i madh, aty ku bashkësia e krishterë ndihet e gjallë dhe ka fe të fuqishme. Prandaj, ndër të krishterët, duhet të spikatë dëshmia e fesë, shpresës dhe bamirësisë. Së bashku me gëzimin, natyrisht. Sepse, shpjegon Ati i Shenjtë, “dëshmitari besnik dhe i gëzueshëm i fesë së vet ka qenë dhe është gjithnjë mjet i privilegjuar për të zgjuar ndër të rinjtë dëshirën e ndjekjes së gjurmëve të Krishtit”. E nevojitet edhe guximi, sepse duhet kurajo për t’u parashtruar të rinjve, me ëmbëlsi e respekt, mundësinë që Zoti t’i thërrasë pikërisht ata.








All the contents on this site are copyrighted ©.