2011-01-31 18:32:27

Komisioni Hetimor thërret dëshmitarët për ngjarjet e 21 janarit në Shqipëri


(31.01.2011 RV)Sot pasdite, kryeministri Sali Berisha u paraqit para Komisionit Hetimor Parlamentar, ngritur për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, kur gjatë protestës së opozitës para kryeministrisë në Tiranë, u vranë 3 vetë. Gjithashtu, komisioni, i përbërë vetëm nga anëtarë të mazhorancës, ka thirrur për të dëshmuar krerë të tjerë të shtetit e të qeverisë. Më 3 shkurt, do të dëgjojë presidentin e Republikës e më 5, kryetaren e parlamentit. Autoritete të tjera do të dëshmojnë gjatë ditëve të para të shkurtit. Komisioni kërkoi edhe zbardhjen e tabulateve të telefonave për disa gazetarë të njohur. Partia Socialiste i kërkoi po sot Gjykatës Kushtetuese ta shpallë komisionin të jashtëligjshëm, pasi në të nuk bëjnë pjesë anëtarë të opozitës. Vetë presidenti Bamir Topi, 10 ditë pas 21 janarit, iu drejtua kombit me një fjalim, në të cilin i quajti ngjarjet e asaj dite shkelje të rënda të ligjit, që nuk duhej të ndodhnin në Shqipërinë e shekullit XXI. Ai kërkoi që autorët të dalin para gjyqit dhe institucionet të bashkëpunojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. I shqetësuar për klimën politike në vend, Bamir Topi u bën thirrje forcave në lojë të gjejnë sëbashku rrugën e kompromisit, për të mos kompromentuar të ardhmen e Shqipërisë. Por, opozita deklaron se të premten do të organizojë një protestë tjetër.
Ndërkaq, nga Brukseli bëjnë të ditur se situata në Shqipëri “i shqetëson seriozisht”. Zëdhënësja e komisarit evropian për zgjerimin, Stefan Fule nënvizoi rëndësinë e “ndarjes së pushteteve, në veçanti të atij ekzekutiv nga gjyqësori” dhe uroi që hetimi mbi ngjarjet e 21 janarit të jetë transparent.
“Është e rëndësishme që Shqipëria të respektojë e të zbatojë këto parime, të cilat janë baza e demokracisë dhe pjesë e kritereve të Kopenhagenit”, të cilat vendi duhet t’i përmbushë, nëse dëshiron të integrohet në Bashkimin Evropian, kujtoi Natasha Batler.







All the contents on this site are copyrighted ©.