2011-01-31 18:32:07

Dita e Lutjes për Tokën Shenjte. Papa uron të realizohen projekte konkrete paqeje


(31.01.2011 RV)Gjatë Engjëllit të Tënzot, Papa kujtoi “Ditën e Tretë Ndërkombëtare të lutjes për paqen në Tokën Shenjte”, e cila u kremtua dje. Sëbashku me Patrikun Latin të Jeruzalemit dhe me Rojtarin e Tokës Shenjte, Benedikti XVI iu lut Zotit, që t’i udhëheqë mendjet e zemrat drejt planeve konkrete për paqen. Që në Sinodin për Lindjen e Mesme, Ati i Shenjtë pati theksuar: “ta shohësh atë pjesë të botës në perspektivën e Zotit, do të thotë të pranosh se aty është ‘djepi’ i planit universal të shëlbimit”. Aty, Hyji u kërkon njerëzve t’i përgjigjen thirrjes së tij e të marrin përsipër përgjegjësinë për kontributin që japin në arritjen e paqes. Për mesazhin e Papës, intervistuam Rojtarin e Tokës Shenjte, atë Pierbatista Picaballa:RealAudioMP3
Ai mesazh na flet neve të Lindjes së Mesme, por edhe të tjerëve, për përgjegjësinë individuale, sepse në përgjithësi ia vemë fajin politikës, ose fesë. Gjëja e parë që duhet bërë është të lutemi, sepse – siç thotë Papa – duhet ta shohim atë tokë nga lart, me vështrimin e Zotit e duhet ta kuptojmë, të përpiqemi ta shohim ne sytë e Hyjit. Liri do të thotë edhe të mos e lemë veten në dorën e pasioneve. E shohim qartë se në Lindjen e Mesme, në Tokën Shenjte, në Jeruzalem, pasionet mund të verbojnë. Por, për të qenë të lirë, kemi nevojë të distancohemi nga gjërat, që t’i shikojmë më mirë. Elementi tjetër është përpjekja për të kuptuar, më tepër se sa për të gjykuar, duke i lënë gjithnjë vend mundësisë së ndryshimit.
Papa, duke përmendur lumnitë ungjillore, tregoi rrugën, që mund të çojë drejt paqes…
Kjo është rruga e krishterë, që sigurisht, jo të gjithë duan ta kuptojnë e ta pranojnë, por nuk ka rrugë tjetër. Kontributi, që mund të japim ne të krishterët është pikërisht ky: aftësia për të falur e për të pranuar edhe atë që duket e brishtë, ose pa vullnet për të ndryshuar. Nga ana tjetër, liria fetare, mundësia e përdorimit të vendeve të kultit, mundësia e afrimit në vendet e shenjta, liria e shprehjes së fesë janë pika konkrete për të verifikuar lirinë në Lindjen e Mesme.
Ç’kontribut mund të japë bashkimi i Kishave të krishtera në këtë zonë të botës?
Mund të jetë pa dyshim një kontribut i madh, pasi dihet se ndarjet ndërmjet të krishterëve, që në Lindjen e Mesme preken me dorë, e pengojnë procesin e paqes. Megjithatë, Lindja e Mesme është edhe vend ku, pavarësisht nga ndarjet, të krishterët takohen e luten sëbashku. Të gjitha konfesionet e krishtera jetojnë sëbashku prej shekujsh dhe aty i kanë rrënjët. Zemra e jetës së krishterë rreh në Jeruzalem e nëse zemra funksionon mirë, krejt trupi ndihet në harmoni.
Ftesa e Papës për të vepruar me përgjegjësi për arritjen e paqes u drejtohet edhe krerëve të shteteve e të qeverive të mbarë botës…
Përgjegjësia e tyre është e jashtëzakonshme. Politika është subjekti kryesor, që mund të sjellë paqen. Rregulltarët, opinioni publik, lutja janë elementë vendimtarë në formimin e ndërgjegjes, por pastaj, vullneti i mirë duhet konkretizuar, mishëruar e kjo është detyrë e politikanëve.
Bota shqetësohet për revoltat, që po përhapen me shpejtësi në Afrikën Veriore e në Lindjen e Mesme. Si i shikoni këto protesta?
Para së gjithash, me habi të madhe, përzier me shqetësim e pritje: pritje për ç’mund të ndodhë, sepse janë ndryshime, që të gjithë i ndjejmë si epokale. Askush prej nesh nuk ka imagjinuar gjëra të kësaj natyre, deri pak muaj më parë. Kjo do të thotë se ekzistojnë shtysa, nxitje në botën arabe, që tani kanë gjetur shprehjen e jashtme e të dukshme. Kjo është sigurisht, shenjë pozitive, por edhe shqetësuese, ngaqë nuk e dimë se ku do të na çojë. Urojmë të ketë sa më pak dhunë e të derdhet sa më pak gjak e që pakicat fetare të vazhdojnë të respektohen.







All the contents on this site are copyrighted ©.