2011-01-31 13:56:22

Benedikti XVI dhe fjalët e tij për Holokaustin: kurrë më dhuna të mos e përulë dinjitetin e njeriut


(27.01.2011 RV)RealAudioMP3 Sot u kremtua Dita ndërkombëtare në kujtim të viktimave të Holokaustit nazist kundër hebrenjve. Papa Benedikti XVI ka folur shpesh për këtë tragjedi, njollë e zezë në historinë e shekullit XX. Vetë Ati i Shenjtë ka qenë për vizitë në kampin e përqëndrimit të Aushvicit dhe në Memorialin e Jad Vashemit në Jeruzalem. Pikërisht në Aushvic, në maj të vitit 2006, Papa tha:
“Ta marrësh fjalën në këtë vend tmerri, plot me krime kundër Zotit e kundër njeriut, që nuk kanë të krahasuar në histori, është gati e pamundur – dhe është veçanërisht e vështirë për një të krishterë, për një Papë që vjen nga Gjermania. Në një vend si ky, nuk të vijnë fjalët, të mbyllet goja, mbetesh i shastisur: të vjen nga brenda thirrja drejtuar Hyjit: Pse o Zot, heshte?” (Vizita në Aushvic-Birkenau, 28 maj 2006).
Benedikti XVI nënvizon shpesh se me shfarosjen e hebrenjve, nazistët donin të ndërtonin një botë pa Zot. Edhe për këtë është e rëndësishme të mos harrojmë, duke kujtuar se dhuna kundër një njeriu të vetëm, është dhunë kundër të gjithëve. Në audiencën e përgjithshme të 28 janarit 2009, Papa foli në mënyrë të veçantë për Ditën e Kujtesës:
“Shoah-u u mëson si brezave të vjetër, ashtu edhe brezave të rinj, se vetëm rruga e vështirë e dialogut, e dashurisë dhe e faljes i çon popujt, kulturat dhe fetë e botës drejt horizontit të vëllazërimit e të paqes në të vërtetën. Kurrë më, dhuna të mos e përulë dinjitetin e njeriut!” (Audienca e përgjithshme, 28 janar 2009)
Këtë dhunë, Jozef Racinger e pa me sytë e vet. Papa kujton fillimin e furisë naziste kundër hebrenjve në të ashtuquajturën “Nata e Kristaleve”, ndërmjet 9 e 10 nëntorit 1938:
“Edhe sot ndjej dhimbje për ç’ndodhi në atë rrethanë tragjike, kujtimi i së cilës duhet të shërbejë që tmerre të tilla të mos përsëriten kurrë më e që të impenjohemi, në të gjitha nivelet, kundër çdo forme të antisemitizmit e të diskriminimit, duke edukuar posaçërisht breznitë e reja me frymën e respektit e të mirëkuptimit reciprok”. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 9 nëntor 2008)
Gjatë dy vjetëve të fundit, Benedikti XVI bën dy vizita historike, gjatë të cilave përkujton gjashtë milion hebrenjtë e vrarë në Luftën II Botërore. Në maj 2009, gjatë një udhëtimi në Tokën Shenjte, Papa shkon në Memorialin e Jad Vashemit, në Jeruzalem. Emrat e personave, që humbën jetën gjatë Holokaustit, thotë ai me atë rast, janë të gdhendura në zemrat e të afërmve, të shokëve të burgut e të gjithë atyre, të cilët janë të vendosur të mos lejojnë më kurrë, që një tmerr i tillë ta çnderojë akoma njerëzimin. Më 17 janar të vitit të kaluar, Benedikti XVI viziton Sinagogën e Romës e pranon me keqardhje se shumë katolikë mbetën indiferentë para dramës së hebrenjve:
“Kisha nuk mungon të dënojë mungesat e bijve dhe të bijave të saj, duke kërkuar falje për gjithçka ka favorizuar në ndonjë mënyrë hapjen e plagëve të antisemitizmit dhe të antijudaizmit. Ato plagë u shërofshin përgjithmonë!” (Vizitë në Sinagogën e Romës, 17 janar 2010)







All the contents on this site are copyrighted ©.