2011-01-29 15:12:53

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


Sot e diel 30 janar, Kisha kremton të dielën e 4-të gjatë vitit liturgjik kishtar ciklit të parë, e po sot më 30 janar, kalendari liturgjik përkujton edhe festën e Shën Martinës, martire, që na kujton se fuqia që del nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush e prek, kush e takon e e mikpret, fiton nga Zoti jetën e pasosur.
Të hënën më 31 janar bie përkujtimi i Shën Gjon Boskos, meshtar, themelues i salezianëve, atë e mësues i të rinjve, na kujton se edhe njerëzit e kohëve tona shkandullohen e çuditen për Jezusin: për ta pranuar, duhet parë me sytë e fesë, e cila na mëson se Krishti është Biri i Zotit e se prandaj vetëm kush beson në të, e percepton të renë që sjell ndërmjet njerëzve.

Të martën e ardhshme më 1 shkurt do të kremtohet festa e shën Brigjidës, abateshë në Irlandë. Liturgjia e ditës na kujton se Dymbëdhjetë Apostujt, të thirrur nga Jezusi, nisin misionin e shëlbimit: predikojnë pendesën dhe mbretërinë e Hyjit, pastrojnë zemrat njerëzore nga e keqja, kujdesen për ata që vuajnë. Janë të dërguar për të dëshmuar jetën, duke u bërë shembull e model për të krishterët e të gjitha kohërave.

Të mërkurën më 2 shkurt do të kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave. Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.

Të enjten më 3 shkurt kalendari do të përkujtojë Shën Vlashin, na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë!

Të premten që vjen më 4 shkurt, përkujtohet Shën Eutiki, martir dhe shën Jozefi nga Leonesa, meshtar kapuçin.

Të shtunën më 5 shkurt, Kisha do të kremtojë Shën Agen, virgjër e martire; Shën Adelajden, abateshë dhe Shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje. Liturgjia e festës së shenjtoreve na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpëdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.

Të dielën e ardhshme më 6 shkurt, Kisha kremton të dielën e 5-të gjatë vitit e po më 6 shkurt, kalendari shënon edhe festën e Shën Pal Mikit me shokë, martirë japonezë dhe Shën Dorotesë, virgjër e martire që na kujtojnë se Jezusi është kundër sjelljeve formale, dokeve e zakoneve meskine, krijuar nga traditat njerëzore, që ndryshojnë me kohë, sepse e zvogëlojnë shpirtin e njeriut. Zoti do që njeriu të ecë në rrugën e së mirës me vetëdije e liri të plotë.







All the contents on this site are copyrighted ©.