2011-01-29 16:26:45

Editorial i atë Federiko Lombardit: Ç’lloj bashkimi?


Javës që kaloi e pikërisht më 25 janar, Papa Benedikti XVI kryesoi Mbrëmësoret e dyta, që mbyllën Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Kremtimi u bë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në Romë. Se për ç’lloj bashkimi e uniteti foli Ati i Shenjtë me këtë rast, na e shpjegon drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në komentin e kësaj së diele. Ta dëgjojmë:RealAudioMP3
“Kërkimi i rivendosjes së bashkimit ndërmjet të krishterëve të ndarë, nuk mund të reduktohet në njohjen e ndryshimeve të ndërsjellta dhe në arritjen e bashkëjetesës paqësore”. Këto fjalë të Papës, gjatë Mbrëmësoreve të 25 janarit në Bazilikën e Shën Palit, tingëllojnë si paralajmërim i fuqishëm.
Sa herë, para vështirësive të konfrontimit ose të dialogut, tërhiqemi në qëndrimet tona dhe mjaftohemi me shmangjen e tensioneve, duke pranuar me mirësjellje distancat ndërmjet nesh, por duke hequr dorë nga hapa më të rëndësishëm, që i ndjejmë si të rrezikshme për zakonet, apo për siguritë e fituara tashmë. Kultura e tolerancës dhe e pluralizmit e bën të natyrshme këtë sjellje, e cila shpesh paraqitet si më realistja dhe më e urta. Por a është vërtet kështu?
Bashkimi është tjetër gjë. Papa vazhdon: “Ajo që duam është bashkimi, për të cilin është lutur vetë Krishti e, që për natyrën e vet, duket në bashkimin e fesë, të sakramenteve, të shërbimit”. Para “tundimit për t’iu nënshtruar fatit e për të rënë në pesimizëm”, Benedikti XVI na fton ta forcojmë “besimin në fuqinë e Shpirtit Shenjt” dhe “ta vazhdojmë me pasion këtë rrugë”. Shën Pali ra nga kali kur takoi Jezusin e jeta e tij ndryshoi rrënjësisht. U kthye. Çfarë do Krishti nga ne? Natyrisht, jo të rrimë në vendnumëro. Përndryshe, takimet tona ekumenike do të mbeten skenografi të bukura, por do të jenë pasqyra e një të kaluare të përçarë, më tepër se sa fara e së ardhmes dhe e dëshmisë më të besueshme të pranisë së Shpirtit të Zotit. Këtij Shpirti duhet t’i krijojmë më tepër hapësirë në botën tonë, të përshkuar nga urrejtja. Me realizmin e dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.