2011-01-28 17:24:52

Lapierre boton një libër të ri. Titullohet “Indi, dashuria ime”.


(28.01.2011 RV)Dashuri që vijoi një jetë të tërë: kjo është përvoja e Dominik Lapierre. E këtë përvojë e tregon në librin e tij të fundit “Indi, dashuria ime”. Autori i librit të famshëm “Qyteti i gëzimit”, bashkëpunëtor i së Lumes Nënë Terezë, në librin e ri përshkon etapat kryesore të një udhe, që ia ndryshoi krejtësisht rrjedhën e jetës.
Por, ta dëgjojmë vetë autorin, Lapierre:RealAudioMP3

Përgjigje: - Sot ka dy Indi: India që shkëlqen, që triumfon në tregjet botërore; India ku mund të kesh auto Ferrari; por është, pastaj edhe India tjetër, faqja tjetër e medaljes, India e të varfërve.

Pyetje - Po ju, pse e doni kaq shumë Indinë?

Përgjigje: - Fillova të bëj kërkime shkencore historike për fundin e perandorisë më të madhe koloniale të të gjitha kohëve, perandorisë britanike, fund që i solli lirinë e pavarësinë një të pestës së njerëzimit e që u realizua nga njerëz të shenjtë, si Mahatma Gandi. Njeri i shenjtë, sepse gjatë gjithë jetës foli për dashuri, për tolerancë, për luftë kundër luftës e dhunës. Ishte fantastik zbulimi i këtij vendi. Ndjeva në shpirt një zë, që më tha se këtu nuk mjaftonte të ishe shkrimtar; duhet të ishe edhe aktor, për të kontribuar vërtet në rrugën e ndryshimeve, të zhdukjes së padrejtësive. Atëherë u nisa të vizitoj Nënë Terezën...

Pyetje: - E, në këtë libër, ju tregoni edhe prapaskenat e takimeve me Shqiptaren e madhe...

Përgjigje: - Ishin takime të mrekullueshme... Kur fola me Nënë Terezën, i thashë se dëshiroja të bëja diçka për fëmijët e gërbulur të Indisë. Më njohu, atëhere, me një anglez, me Xhejms Stiven. Kishte krijuar një qendër për fëmijët e sëmurë nga gërbula, të cilën e kishte quajtur “Ringjallje”. Kur u njoha me të, ai nuk kishte më para për ta vijuar veprën e nisur e po mendonte ta mbyllte atë ishull dashurie, ndërtuar në mes të flakëve të ferrit... Me gruan time, e cila gjithashtu quhet Domenikë, mbetëm të prekur thellë nga takimi me Nënë Terezën e me anglezin, që e ndihmonte, njeri që nuk e njihte askush në botë. Vendosëm, atëherë, t’u dhuronim para, që ta vijonin kryqëzatën e tyre të dashurisë. Kjo ndodhi 30 vjet më parë. Asokohe filloi.... E këto 30 vjet tregon libri “Indi, dashuria ime”, tregim plot besim e shpresë, himn për njeriun, që ia del mbanesh të kapërcejë çdo vështirësi. Për Radio Vatikanin solla celularin tim të Kalkutës, nga i cili dëgjohen tingujt e një zileje indiane (tingujt). Është zilja e një taksie, që njofton praninë e vet në trafikun kaotik të Kalkutës. Për mua, kjo zile, që e mbajta në xhep në Perëndimin e pasur, mbeti simbol i zërit të atyre njerëzve, që ndonëse nuk kishin asgjë, dukej sikur kishin gjithçka.

Pyetje: - Kështu, Perëndimi që sot tmerrohet nga varfëria...

Përgjigje: - Nënë Tereza thoshte gjithnjë “Varfëria nuk është fatalitet: mund të zhduket, e të gjithë duhet të bëjmë diçka, për ta zhdukur. Nënë Tereza thoshte edhe: “Të shpëtosh një fëmijë, do të thotë të shpëtosh botën!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.