2011-01-27 14:21:12

Çelësi i fjalëve të Kishës: përkujtimi


(27.01.2011 RV)“Që bota të mos e harrojë mësimin e nxjerrë nga tragjedia e Shoah-ut”: ky është qëllimi i Ditës së sotme ndërkombëtare për kujtimin e viktimave të Holokaustit kundër hebrenjve. Dita e kremtuar nga OKBja që nga viti 2005 i bën thirrje memories së njerëzve, që të përkujtojnë edhe për brezat e ardhshëm, ligjet racore, presekutimin e hebrenjve, internimin, burgosjen, torturat e vdekjen, në mënyrë që të mos përsëriten më. Por ç’do të thotë “memorie”, apo “përkujtim” në traditën e krishterë? A ka të njëjtin kuptim me përkujtimin e zakonshëm? Kjo është fjala, që do të shpjegojmë sot.

“Kijeni këtë ditë përkujtim dhe kremtojeni festë në nder të Zotit brez pas brezi, si rit fetar i përhershëm”. Me këtë frazë të Librit të Daljes përfundon tregimi biblik i ritit të Pashkëve hebraike (12,14). Në të bie në sy menjëherë fjala “përkujtim”, në hebraisht “zikkarôn”, që ka si bazë një folje me rëndësi të madhe në Shkrimin e Shenjtë. Ajo është “zakar”, që do të thotë “të kujtosh” dhe përmendet 288 herë në Besëlidhjen e Vjetër.
Në konceptimin biblik, termi “përkujtim” ndërthuret me liturgjinë. Ai tregon një veprim shëlbues hyjnor, realizuar në të kaluarën, efekti dhe prania e të cilit vazhdojnë në kohë. Shembull për këtë janë Pashkët, që kujtojnë ngjarjen e lashtë të çlirimit nga skllavëria egjiptiane, por që kremtohen çdo vit, sepse Zoti vazhdon t’i sigurojë dhuratën e lirisë popullit të vet.
Pashkët e Krishtit kanë të njëjtën vlerë. Në këtë rast, riti është Eukaristia, që e bën të pranishme e të frytshme vdekjen dhe ringjalljen e Jezusit. Jo më kot, Darka e Mbrame kujtohet për fjalët e Tij: “Ky është korpi im, që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!...Ky Kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” (Lk 22,19; 1 Kor 11,25).
Memoria biblike pra, është shumë e ndryshme nga ndonjë përkujtim patriotik i zbehtë, apo nga ndonjë ritual civil e familjar, me të cilin shprehim nostalgjinë për fakte, ose persona mbuluar me pluhurin e së kaluarës. “Përkujtimi” biblik është prani, është amshimi, që hyn në kohë, e ç’është e amshuar nuk zbehet e nuk zhduket. Për këtë arsye, lutja biblike është “kujtim i viteve të lashta…”. E siç thotë psalmisti: “Në mend më bien veprat e Zotit, i kujtoj mrekullitë e tua qysh prej fillimit” (Ps 77,6.12), i sigurtë se këto mrekulli veprojnë akoma e na japin shëlbim e hir.
“Përkujtimi” bëhet kështu thirrje, që njeriu ta mbajë gjallë lidhjen e aleancës me Zotin. Në këtë dritë, kuptohet pse në Librin e Ligjit të Përtërirë përsëritet shpesh këshilla për të kujtuar udhërimet e Tënzot e për t’i zbatuar në jetën e përditshme e në marrjen e vendimeve morale. Është interesante të vemë në dukje se ky “përkujtim” e ndërthur aktin e Zotit shëlbues me besnikërinë e njeriut të shëlbuar: “të të bjerë ndër mend se edhe ti ke qenë skllav në Egjipt dhe se prej andej të ka nxjerrë me dorë të fuqishme e me krah të tendosur Zoti, Hyji yt; dhe kjo është arsyeja që të urdhëroi ta mbash ditën e shtunë” (5,15).
Praktikisht, “përkujtimi” është fjalë e fesë, ndërsa “harrimi”, fjalë e apostazisë: “E harrove Hyjin, Shëlbuesin tënd, e nuk e kujtove qetën e shpëtimit tënd”, thuhet në Librin e Isaisë (17,10). Në një epokë si kjo e jona, ku gjërat e ngjarjet harrohen si tepër shpejt, thirrja biblike për të kujtuar bëhet ftesë për të pasur besim tek ai Zot, që i “kujton” gjithnjë veprat e Tij, duke vazhduar t’i mbajë gjallë, në veprim e të pranishme në histori e në liturgji.








All the contents on this site are copyrighted ©.