2011-01-27 11:27:20

Sot me 27 janar kalendari Kishtar përkujton Shën Angjela Meriçin, virgjër


Shën Angjela lindi në Dezencano mbi liqenin e Gardës, në Itali në vitin 1474. Pati për jetën rregulltare një ide revolucionare për kohën në të cilën jetoi. Në këtë periudhë pasurie e dëfrimesh civile, begatie ekonomike e shkëlqimi artistik, që në Itali njihet me emrin rinascimento - rilindje e arteve dhe e kulturës, zëri kërcënues i fra Gjirolamo Savonarolës, i cili më vonë u vra dhe u dogj mbi turrë të druve në Piazza della Signoria në Firence më 1498, lëshonte vetëtima e rrufe mbi njerëzit e pushtuar nga materializmi.
Njëzet vjet më vonë, një rregulltar gjerman agostianian, Martin Luteri, deshi të realizonte në Kishë atë “reformë”, që çoi në ndarjen e dhimbshme të bashkimit të të krishterëve. Në korin e fuqishëm të zërave që kërkonin reformimin e dokeve, nisi të dallohej zëri i shtruar i një gruaje të pashkollë, që ofronte kontributin e saj praktik e të shndritur nga Zoti, për vënien në jetë të këshillave e mësimeve ungjillore.
Angjela Meriçi e kishte kaluar rininë e saj duke kundërvënë në mënyrë paqësore jetës së shfrenuar shekullare e humbjes së vlerave të vërteta morale e njerëzore. Për ta realizuar këtë, kishte hyrë në të Tretin Urdhër Françeskan.
E rritur në një familje të ndershme fshatarësh, pasi humbi prindërit derisa ishte vetëm 15 vjeçe, Angjela pati dëshirë të bënte shtegtime të gjata. Arriti deri në Tokën Shenjte, të cilën mundi ta admironte vetëm me sytë e fesë, sepse pikërisht kur shkeli në Palestinë, humbi përkohësisht dritën e syve. Në mes të errësirës fizike të syve, shpirti i saj pa një dritë verbuese që i rrëfente detyrën e lartë me të cilën ishte ngarkuar.
Ajo pa në vegim një shkallë të gjatë, që mbështetej në tokë e humbiste në qiell, në të cilën ngjitej një radhë e pafundme vajzash. E kuptoi se Zoti po e thërriste për të ndihmuar shpirtërisht e materialisht të rejat. Kujtojmë se aso kohe shkolla ishte privilegj i vajzave të familjeve të pasura, kryesisht meshkujve, që përgatiteshin për jetë fetare, rregulltare, politike, diplomatike ose ushtarake.
Angjela Meriçi pati një detyrë të rëndësishme e revolucionare për periudhën e saj e jemi në kohën e Mesharit të Buzukut. Për ta vënë në jetë nismën e saj, më 1535 themeloi themeloi në Breshia shoqërinë e Shën Orsolës (Ursulës), Kongregatë rregulltaresh që nuk kishin veshje të veçantë dalluese, po të cilat shumë shpejt u bënë të njohura në mbarë botën me emrin Orsolinet dhe me misionin për hapjen e konvikteve e të shkollave femërore, duke u bërë kështu pararendëse të Instituteve shekullare, rregullorja e të cilave u botua dhe përhap pas 27 janarit të vitit 1540, kur Agjela mbylli sytë në Bresha, për t’u shpallur shenjte në vitin 1807.
Emri Angjela, që në shqip thjeshtohet shpesh në Angje, vjen nga greqishtja e do të thotë lajmëtare. Simboli i shenjtës është zambaku.







All the contents on this site are copyrighted ©.