2011-01-26 15:16:26

Shqipëri: Berisha kërkon hetim të plotë e të gjithanshëm të ngjarjeve të 21 janarit


Kryeministri konfirmon anulimin e mitingut paqësor kundër dhunës që ishte parashikuar të zhvillohej ditën e shtunë -
Kryeministri Sali Berisha siguroi sot se do të ketë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm mbi ngjarjet e 21 janarit, si dhe konfirmoi anulimin e mitingut paqësor kundër dhunës që ishte parashikuar të organizohej nga maxhoranca për ditën e shtunë.
Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri Berisha informoi se në të gjitha bisedat që ka zhvilluar me përfaqësuesit më të lartë të Komisionit Evropian si dhe të SHBA-së ka pasur një dënim unanim të akteve të dhunës, si akti më i papranueshëm.
"Ka një kërkesë për një hetim të plotë, transparent dhe të pavarur të asaj që ndodhi, të vrasjes por edhe në tërësi të problematikës. Ka edhe një kërkesë të ligjshme që të shmangen përplasjet dhe dhuna në mitingje dhe aktivitete të tjera", tha Berisha.
Berisha e cilësoi ngjarjen e 21 janarit, si një grusht shteti i planifikuar të zhvillohej me faza për të sjellë në pushtet me dhunë Edi Ramën. Kryeministri siguroi se do të dështojë çdo tentativë e përsëritur për të marrë pushtetin me dhunë, ndërsa paralajmëroi kreun e PS-së Edi Rama se do të mbajë përgjegjësi të plotë dhe direkte në rast të ripërsëritjes të skenarit të dhunshëm.
Sipas tij, "eksponentë të opozitës kanë komunikuar me eksponentët më kryesore të krimit që janë sot në burgjet e vendit, lejtnantd të Ramës, Ruçit dhe Gjinushit".
Duke u ndalur te hetimi i ngjarjes, Kryeministri falënderoi qeverinë e SHBA-së që mori përsipër të sjellë ekspertët më të mirë për një hetim të plotë. "Ata që drejtojnë institucionet e këtij vendi u bënë pjesë e një akti të shëmtuar, dëshmuan se janë pjesë e ngjarjes së bulevardit, dëshmuan se ata vepruan si një repart i turpshëm ndërkohë që hetimi duhet të ishte kredibël", tha Berisha.
Megjithatë, ai siguroi se është i vendosur të respektoj kuadrin institucional të këtij vendi dhe gjithçka do të ecë në kuadrin institucional. "Unë do respektoj institucionet sepse ligji dhe Kushtetuta janë të shenjta për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Çdo variant tjetër do të dhunonte jo vetëm këtë grup puçistësh, por do të dënonte mbarë liritë dhe të drejtat e shqiptarëve", tha Berisha.
Ai garantoi për një hetim të plotë e të gjithanshëm, ndërsa siguroi se asnjë përfaqësues i Gardës së Republikës nuk ka asnjë lloj mbrojtje ndaj hetimit jopolitik, por dënimi kolektiv i zinxhirit të komandës së gardës është i papranueshëm.
Berisha siguroi institucionin e hetimit se "do të ketë bashkëpunim të plotë të të gjitha agjencive për të kompletuar transparencën e hetimit". "Ftoj Ina Ramën të vazhdoje hetimin, por ajo gënjen publikisht shqiptarët kur thotë se nuk ka padi për ata që vunë zjarrin", tha Berisha duke publikuar para mediave dokumentin e hollësishëm të akt padisë ku përfshihen të gjithë organizatorët e ngjarjes së 21 janarit.
Kryeministri kërkoi që "askush mos ta marrë këtë si një sulm ndaj institucionit të Prokurorisë, por ta konsiderojë si një transparencë të domosdoshme".
Gjithashtu, Berisha nënvizoi se komisioni hetimor parlamentar do të shqyrtoje qëndrimin e çdo institucioni të këtij vendi në raport me zhvillimet e 21 janarit. Ai kërkoi përcaktimin e një fondi për shpërblimin e çdo dëshmie të vyer dhe dëshmitari që ka informacione për ngjarjen.
Berisha i ftoi të gjithë ata që kanë informacione të vlefshme që t'i dorëzojnë në komisionin hetimor parlamentar dhe policinë kriminale, ndërkohë që këto të fundit duhet t'i dorëzojnë pa përjashtim në Prokurorinë e Shtetit.
"Duke respektuar plotësisht institucionet do bëhet një hetim i gjithanshëm. Nuk duhet t'i ndërhyjmë apo të pengojmë asnjë institucion, përkundrazi duhet të ndihmojmë në zbatimin e ligjit", tha ai.
Berisha konfirmoi anulimin e mitingut paqësor të së shtunës, ndërsa theksoi se kjo është një kërkesë e ligjshme dhe logjike e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë që ndjekin me shqetësim gjendjen në Shqipëri. "Organizimi i këtij mitingu nuk ka pasur asnjë qëllim për të treguar forcën, pasi forca jonë qëndron te ligji", tha Berisha.(nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.