2011-01-26 17:46:31

Papa i fton laikët të impenjohen në politikë, duke ecur në gjurmët e Zhanës D’Ark, shembull mirësie, guximi e pastërtie.


(26.01.2011 RV)Benedikti XVI, në audiencën e sotme të përgjithshme, i ftoi besimtarët ta jetojnë thellësisht jetën e krishterë; ndërsa laikëve të impenjuar në politikë, u kërkoi të marrin shembull nga shenjtëria e Zhanës D’Ark, që u gjykua si heretike nga autoritetet kishtare të kohës, u dënua me djegie mbi turrën e druve dhe i mbaroi ditët mes flakëve të tmerrshme, për t’u lartuar, pas shumë shekujsh, në nderimet e elterit. Katekizmin e ndoqën 3 mijë shtegtarë, të pranishëm në Sallën e Palit VI, në Vatikan.RealAudioMP3

Mirësia, guximi e pastërtia e jashtëzakonshme: këto ishin cilësitë kryesore të karakterit të fshatares së thjeshtë franceze, që u shndërrua nga Zoti në luftëtare të pathyeshme të lirisë e në shenjtore. E kështu e kujtoi edhe Papa në katekizmin e sotëm, kushtuar Zhanës D’Ark, vdekur në moshën 19 vjeçare, në vitin 1431. Benedikti XVI e krahasoi me Shën Katerinën e Sienës, pajtore e Italisë dhe e Evropës. Dy gra, të dala nga gjiri i popullit; dy laike; dy vasha, që kishin bërë kushtin e virgjërisë, dy mistike, të impenjuara jashtë kiostrit, në mes të realiteteve më dramatike të Kishës e të botës të kohës së tyre. Dy gra – nënvizoi Papa – të cilat u ngjasin fort grave të shenjta, që ndenjën mbi Kalvar, kur Jezusi gozhdohej e vdiste mbi kryq, ndërsa apostujt kishin ikur të tmerruar. Gra të forta, të cilat aty nga fundi i Mesjetës, përhapën pa frikë dritën e madhe të Ungjillit në ngjarjet e ndërlikuara të historisë. Jemi në vitet e çarjes së madhe, kur Kisha e Perëndimit shkëputej nga Kisha e Lindjes, ndërsa Evropa tronditej vazhdimisht nga konflikte të rënda, të pafundme. Mjafton të kujtojmë se Franca e Anglia kishin njëqind vjet që nuk e pushonin atë luftë, e cila mbeti në histori me emrin “Lufta njëqindvjeçare”. Zhana, pa i mbushur mirë të shtatëmbëdhjetë vjetët, hyri në arenën politike, duke ndërmjetësuar, pa sukses, për arritjen e paqes së drejtë ndërmjet dy popujve të krishterë, të kacafytur për jetë a vdekje. Atëherë rroku armët e u priu luftëtarëve në betejën për çlirimin e Orleanit. Në kulmin e betejës, u kap nga armiqtë. U burgos, u gjykua nga gjykatës kishtarë, u dënua si heretike e u dogj e gjallë mbi turrën e druve:
Çlirimi i popullit të saj është vepër drejtësie njerëzore, së cilës Zhana i kushtohet me gjithë zemër, për dashuri të Krishtit. Jep, në këtë mënyrë, një shembull të bukur shenjtërie, posaçërisht në situatat më të vështira”.
Kështu u shpreh Papa, për të kujtuar, më pas, ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Shenjtores, duke nisur nga çasti kur, në moshën 13 vjeçare, ndjeu thirrjen e Zotit për të çliruar Francën, deri në dy vjetët e fundit të jetës së saj publike, një vit veprimtarie e një vit mundimesh, që përfundoi me procesin, dënimin e djegien:
“... gjykatësit e Zhanës janë plotësisht të paaftë për ta kuptuar; nuk kanë sy, për ta parë bukurinë e shpirtit të saj; nuk e dinë se po dënojnë një Shenjtore”.
Të vijnë menjëherë në mendje fjalët e Jezusit – shtoi Benedikti XVI – të cilat na kujtojnë se misteret e Zotit u zbulohen atyre, që kanë zemër fëmije, ndërsa u fshihen të mëdhenjve e të diturve. Prandaj thirrja, që Zhana i bën gjykatësve, për t’u gjykuar drejtpërdrejt nga Papa, hidhet poshtë nga njerëz, të cilët shikonin në të heretiken, sepse nuk ishin në gjendje të shikonin shenjten. E, në katekizmin e sotëm, të krijohet përshtypja se Shenjtorja franceze del pikërisht para gjyqit të Papës, që rikthen simbolikisht mbrapa, për gjykim, procesin e përfunduar aq tragjikisht shekuj më parë:
“Ky proces është faqe tronditëse e historisë së shenjtërisë, por edhe faqe që hedh dritë mbi misterin e Kishës e cila, sipas fjalëve të Koncilit II të Vatikanit, është e shenjtë, por njëkohësisht ka nevojë të vazhdueshme për pastrim”.
Do të kalonin rreth 25 vjet nga vdekja e Shenjtes, që të anulohej procesi i dënimit të padrejtë të saj. Anulimi do të arrihej nën papninë e Kalistit III. Ndërsa Vasha e Orleanit do të shpallej Shenjte nga Benedikti XV, më 1920.
Dëshmi e shkëlqyer për ditët tona, e quajti Benedikti XVI dëshminë, që na vjen nga thellësia shekujve:
... Shën Zhanë D’Ark na fton për ta jetuar thellësisht jetën e krishterë, për ta bërë lutjen fill përcjellës të ditëve tona; për të pasur besim të plotë në vullnetin e Zotit, sido që të jetë; për ta jetuar dashurinë e krishterë, pa pritur asnjë shpërblim, pa i vënë caqe, e duke e shoqëruar dashurinë për Jezusin, ashtu si ajo, me një dashuri të thellë për Kishën”.
Ndërmjet përshëndetjeve përfundimtare për shtegtarët e pranishëm në Sallën e Palit VI, edhe ajo, drejtuar disa studentëve të një shkolle të Hong-Kongut.
E, në përfundim të audiencës, kujtimi i festës së sotme liturgjike të Shenjtorëve Timoteu e Titi, dishepuj të Shën Palit.
Kujtojmë, në fund, edhe përpjekjen e dy besimtarëve maltezë për të kapërcyer parmakët e për t’i dorëzuar Papës një zarf, duke bërë çmos të tërhiqnin vëmendjen e tij me britma të forta. Zarfi, marrë në dorëzim nga xhandarmëria, sipas njoftimit të atë Çiro Benedetinit, zëvendës-drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit, përmbante mesazhe devocionale.







All the contents on this site are copyrighted ©.