Me 26 janar kalendari përkujton shenjtorët Timoteun e Titin, dishepujt të shën Palit
e ipeshkvij
Shën Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë të Shën Palit, u caktuan prej
tij porsi barinj: i pari i Kishës së Efezit e i dyti, i Kretës. Pra, shenjtorët Timoteu
e Titi janë fryt i predikimit dhe i veprimtarisë së Apostullit të Popujve. Ishte pikërisht
Pali ai që i ndihmoi të ktheheshin në udhën e Krishtit, ai që i ushqeu me dashuri
kristiane e atërore e që i bëri dy fanarë të ndritshëm për njerëzimin.
Pali
u takua për herë të parë me Timoteun, ende djalosh i ri, në Listri: ai ishte
bir i një babai pagan e i një nëne hebreo-kristiane me emër Euriçe, dishepulle e Palit
dhe bashkëpunëtore e tij. Timoteu, i edukuar në frymën e Shkrimit Shenjt, duke dëgjuar
fjalët e Apostullit e duke parë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, u kthye në
fe të Krishtit dhe u pagëzua nga vetë Pali, i cili më pas e mori me vete. E gjithë
jeta e Timoteut do të lidhej ngushtë me atë të Palit Apostull, për të cilin do të
bëhej bir, bashkëpunëtor, shok udhe, mik, trashëgimtar.
Titi lindi
prej prindërve grekë, akoma paganë. U pagëzua nga Apostulli, i cili e përcolli në
Koncilin e Jerusalemit. Më vonë e gjejmë në Kretë, në Maqedoní, në Romë e Dalmací.
Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë të Shën Palit, u caktuan prej
tij si barinj: i pari i Kishës së Efezit e i dyti, i Kretës.
Pas martirizimit
të Shën Palit, Timoteu vijoi të kryesonte Kishën e Efezit deri në vitin 97 kur, sipas
traditës, vdiq në kulmin e veprimtarisë baritore. Njoftimin e fundit për të na e jep
Shën Pali pak para se të martirizohej: “Titi është në Dalmaci”. Nuk kemi më asnjë
njoftim tjetër. Kujtojmë se këtyre dy dishepujve, Shën Pali u drejtoi tri letra apostolike
me përmbajtje baritore. Janë të vetmet letra të Shkrimit Shenjt drejtuar një individi,
të pasura me hollësi nga jeta e Apostullit që, tashmë i plakur, gëzohet se lë pas
dy bij në Krishtin, për të vijuar misionin e ungjillëzimit.
Përmes dy Shenjtorëve
Pali mundi të mishëronte atë, që është zemra e predikimit të tij: feja në Krishtin
e çliron njeriun nga ligji, ndonëse shëlbimi vjen nga judenjtë, nga fisi i Davidit.
Ajo që ka vërtetë rëndësi, është ndërgjegjja e pastër dhe besimi i patundur në Zotin,
i mishëruar në jetën e përditshme përmes veprave të mira.