2011-01-26 17:51:59

Karakteri misionar i DBR-së së Madridit.


“Një nga objektivat (qëllimet) e Ditëve Botërore të Rinisë (DBR) është që të rinjtë më larg Kishës, të mund të afrohen tek Krishti. E kjo përmasë misionare e DBR-së është e pamohueshme. Imzot Francisko Pérez, kryeipeshkëv i Pamplonës dhe i Tudelës, drejtor i Veprave Papnore Misionare në Spanjë, ua kujton këtë të rinjve në mesazhin e tij për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Madrid, gushtin e ardhshëm. Një nga karakteristikat kyçe të kësaj Dite – thekson prelati spanjoll - është sigurisht përpjekja për t’i bërë të rinjtë kasnecë (kumtues) të një mesazhi të mbinatyrshëm, të pafund: lajmit të mirë të Krishtit të ngjallur! E dimë se DBR-së – vijon kryeipeshkvi – është takim me domethënie të thellë. Është ftesë për t’u dashuruar me Kishën. Kërkon të punosh për Kishën. Të vuash për Kishën. Për Kishën, që është Nënë e që na bashkon me Zotin. Për Kishën, që është sakrament i shëlbimit. U kërkoj, prandaj, të rinjve ta shikojnë sy më sy Krishtin”.
Kështu shkruan imzot Peréz, i cili i fton të rinj e të rritur, në këtë fazë të përgatitjes së DBR-së, të luten që kjo Ditë të jetë çast ideal takimi me Krishtin për mijëra e mijëra të rinj, ndërmjet të cilëve, edhe misionarët e ardhshëm, që do ta çojnë Ungjillin deri në skajet më të largëta të botës!







All the contents on this site are copyrighted ©.