Atë Skatolin, misionar në botën arabe: “Udha drejt demokracisë kërkon kohë”.
(26.01.2011 RV)“Problemi i rëndë i papunësisë, tensioni, që zgjat prej vitesh
ndërmjet ekstremistëve e jo ekstremistëve dhe kriza kulturore, në vijim së paku prej
dy shekujsh, pasojë e ballafaqimit ndërmjet traditës islamike e botës moderne”. Këto,
sipas atë Gjuzepe Skatolin, misionar kombonian e studiues i mistikës islamike, janë
shkaqet e krizës, me ngjyrime të forta ekonomike, që po trondit të gjitha vendet arabe.
Rruga drejt demokracisë kërkon kohë, sepse në këtë rrugë nuk mund të ecet pa përgatitjen
e duhur kulturore – pohon rregulltari kombonian në një intervistë, dhënë agjensisë
Fides. Sipas meje – vijon atë Skatolin - edhe pluraliteti i shprehjes duhet të kontribuojë
për të krijuar indin, mbi bazën e të cilit mund të zhvillohet kultura e vërtetë demokratike.
Prej vitesh me banim në Kairo të Egjiptit, ku vijojnë manifestimet e protestës
kundër qeverisë, rregulltari kombonian komenton edhe shkaqet e atentateve të kohëve
të fundit kundër bashkësisë së krishterë në vend: “Ekstremizmi, që mbetet problem
i mprehtë, është ushqyer edhe nga disa politika perëndimore, të cilat kanë kontribuar
për t’u dhënë ekstremistëve argumente, që nuk kanë ndihmuar aspak në zgjidhjen e
problemit. E duhet pasur kujdes të mos futen të gjithë arabët në një thes: në botën
arabe ka shumë njerëz, që e kërkojnë paqen”- përfundon rregulltari kombonian.