9-të vjetori i kushtimit të Katedrales së Shën Palit në Tiranë
Sot bie nëntë vjetori i kushtimit të Katedrales së Tiranës që ka për pajtor qiellor,
Shën Palit Apostull, ungjillëzuesin e popullit shqiptar. Pra nëntë vjet më parë, më
26 janar 2002, Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, me një kremtim solemn liturgjik, në
praninë e kardinalit Anxhelo Sodano, asokohe Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ia kushtonte
Kishën Katedrale të vet Shën Palit Apostull. 9-të vjet më vonë, ky kushtim merr një
rëndësi të veçantë, edhe në kuadrin e festës liturgjike të ‘Kthimit të Shën Palit
Apostull në rrugën e Jezusit, që kremtohet më datën 25 janar, e pastaj kujtojmë lidhjen
e ngushtë të kësaj figure të jashtëzakonshme të Palit Apostull me depërtimin e Ungjillit
në trevat shqiptare, pra me Ungjillëzimin e Popullit Shqiptar. Kujtojmë se Shën
Pali qe i pari nga Apostujt e Krishtit, që shkeli në trevat shqiptare e që mbolli
ndër to farën e Lajmit të mirë, Ungjillit të Krishtit, e cila mbiu dhe u rrit e ujitur,
e kultivuar edhe me gjak martirësh në shekujt e historisë gjithnjë të trazuar të këtyre
trojeve e të popullit shqiptar, duke arritur kulmet nën pushtimin otoman e më vonë
nën diktaturën e tmerrshme ateiste komuniste. Prandaj edhe i dërguari i Papës Gjon
Pali II, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinalit Sodano, nëntë vjet më parë,
gjatë homelisë së tij në Katedralen e Tiranës, vuri theksin pikërisht mbi persekutimin
e besimtarëve nën thundrën e kësaj diktature ateiste: “Nata e gjatë dhe e dhimbshme
e persekutimit tashmë kaloi – tha kardinali Sodano – e një ditë e ndritshme nisi
të agojë në këtë skaj të Evropës, ku po lind një epokë e re në jetën e atdheut. Simbol
i këtij kapitulli të ri në historinë kombëtare dëshiron të jetë katedralja e re e
Tiranës, që u ngrit në zemër të kryeqytetit, gati-gati si të donte t’u fliste të gjithë
besimtarëve, t’i ftonte të kthehen e të venë në qendër të jetës individuale e shoqërore,
kultin e Hyjit, krijuesit e Zotit tonë”. Për ne të krishterët – shpjegoi në
vijim kardinali Sodano – ky është Urdhri i parë, ndërmjet Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot:
“Unë jam Zoti, Hyji yt. Nuk do të kesh Zot tjetër, përveç meje!”. E ky është mësimi
që Zoti i ka dhënë e vijon t’i japë popullit të vet. “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të
nxori nga dheu i Egjiptit, nga skllavëria; nuk do të kesh zota të tjerë, përveç meje!”. Duke
komentuar leximet e Meshës Shenjte me ritin e kushtimit, Kardinali Sodano e quajti
tempullin e ri, ngritur në zemër të Tiranës “Një shkallë drejt qiellit”; (leximi i
parë, cfr Zan 28, 11-18; 28,17); Tempull shpirtëror (Leximi II, nga Letrat e Shën
Palit drejtuar Korintianëve). E iu drejtua besimtarëve shqiptarë me fjalët gjithnjë
aktuale të Shën Palit: “Vëllezër, ju jeni ndërtesa e Zotit… A nuk e dini ju, se
jeni tempulli i Hyjit e se Shpirti i Hyjit banon në ju?”. Kjo britmë e Apostullit,
të cilit iu kushtua nënjtë vjet më parë Katedralja, jehon ende e do të kumbojë në
shekuj jo vetëm brenda mureve të saj. Britma përhapet në të katër anët e vendit, duke
i bërë një thirrje të përhershme banorëve të këtyre trevave, si simbol mistik i pranisë
së Krishtit në zemrat e të krishterëve. Kardinali Angjelo Sodano u la shqiptarëve
një mesazh thellësisht aktual, në emër të Papës, duke u bërë thirrje: “Hyni në
këtë Katedrale të re për të dashur Zotin, e dilni prej këndej për të dashur të afërmin”.
Kështu, nëntë vjet më parë, në zemër të kryeqytetit të Shqipërisë, katolikët ia kushtuan
katedralen e tyre kryesore Shën Palit Apostull. Po ndërtesa kishtare, e rrethuar
nga kompleksi i ndërtesave të tjera, që zbukurojë qendrën e Tiranës, nuk u përket
vetëm katolikëve: në të janë të mirëpritur të gjithë, edhe pse, përveç misionit të
saj kryesor, që është ai fetar e shpirtëror, katedralja katolike e Shën Palit në Tiranë
është edhe qendër kulture e arti. Është vetëm nëntëvjeçare, ndër më të voglat në
moshë, përballë Katedraleve madhështore të krishterimit, që lartohen në kryeqytetet
e Evropës e të botës prej mijëra vjetësh e ku punuan artistë të pavdekshëm botëror.
Por gjithsesi as Katedrales katolike të Tiranës nuk i mungojnë veprat e artit:
madje, në këndvështrimin arkitektonik, ajo vetë është një vepër arti. E pastaj, sapo
hyn në tempull, të bie menjëherë në sy një Kryq masiv, me Krishtin e kryqëzuar, që
i pret me krahë hapur të gjithë ato që shkelin në Tempull. Ka edhe vetratat e shumta,
realizuar nga një grup vetratistësh breshianë, me skena nga jeta e Shën Palit. U
shtohet edhe një vetratë, që paraqet Nënë Terezën me ipeshkvin e parë të katedrales,
imzot Mirditën, falë veprimtarisë së palodhshme të të cilit u ngrit ky tempull. E
një tjetër përjetëson vizitën e Gjon Palit II, i pari Papë që shkeli në Shqipëri.
Papa Wojtila nuk e pa të kryer Katedralen e Tiranës, por shuguroi ipeshkvin e saj
të parë, imzot Rrok Mirditën në Katedralen më të njohur të Shqipërisë, atë të Shkodrës.
Ka pra edhe shumë vend për kryevepra të tjera, që mund e duhet të dalin nga duart
e artistëve, urojmë edhe shqiptarë, të cilët e dinë mirë se Ungjilli është burim i
pashtershëm frymëzimi e se prej tij janë frymëzuar artistët si Da Vinçi, Buonaroti,
Rafaeli… për të mos kujtuar artistë të tjerë të mëdhenj të të gjitha kohërave e kombeve. Duhen
kujtuar, pastaj, veprimtaritë e shumta kulturore, ndërmjet të cilave ato muzikore.
Katedralja e Tiranës ka korin e saj tejet të përgatitur, të drejtuar nga muzikantë
shumë të njohur shqiptarë, që shoqëron kremtimet liturgjike fetare; ka instrumentistët
e saj, jep koncerte e zhvillon veprimtari të tjera artistike e kulturore gjatë gjithë
vitit. Nuk mund të mos kujtojmë se kjo Katedrale e Shën Palit është kryetempulli
i dioqezës së lashtë të Durrës-Tiranës, që ekzistonte që në shekujt e parë e që më
parë njihej si Metropoli e Epirus Novus. Burimi më i lashtë, që na flet për ekzistencën
e krishterimit në këto vise që në shekullin IV, është vëllimi VII i veprës monumentale
‘Illyricum Sacrum” – “Iliria Kishtare”, e cila përshkruan pikërisht organizimin kishtar
të trevave të Ilirisë. Që në vitin 95 pas K. dioqeza e Durrësit kishte ipeshkvin
e vet të parë, shenjt e martir: Çezarin. E shumë më vonë, një ipeshkëv tjetër, tepër
të njohur martir: Imzot Viçenc Prennushin, shuguruar ipeshkëv më 1940, Martir më 1948,
në dioqezën e tij. E, pas një heshtjeje të gjatë, shkaktuar nga persekutimi, dioqeza
e Durrësit e mbetur pa bari, pa të shkelte në një truall ku ende nuk ekzistonte katedralja
e sotme, Ipeshkvin e vet të parë, imzot Rrok Mirditën, që u shugurua më 25 prill 1993
nga vetë Papa Gjon Pali II. Asokohe dioqeza quhej ende e Durrës-Tiranës, ndërsa më
pas Papa Vojtila e ngriti në rangun e Kryedioqezës, duke ia ndryshuar edhe emrin në
“Arkidioqeza Metropolitane e Tiranë-Durrësit”. Më 29 qershor 2005 imzot Rrok Mirdita
merrte, në Romë, nga Papa Benedikti XVI, Palion e metropolitit. Katedralja ka vetëm
shtatë vjet që është kushtuar, por i ka rrënjët në një histori shumëshekullore: në
historinë e krishterimit ndër shqiptarë që, duke i bërë ballë shpatave e shekujve
- hyri në mijëvjeçarin e tretë të krishterimit!