2011-01-25 16:30:49

Shqipëri: BE-ja dërgon ndërmjetësuesin në Tiranë


(25.01.2011 RV)Në Shqipëri gjendja politike vazhdon të jetë e tensionuar në aspektin politik, e vështirë në atë juridik, tejet shqetësuese në aspektin shoqëror. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikën e jashtme e sigurinë Ashton ka vendos të dërgojë në Tiranë drejtorin për Balkanin perëndimor të shërbimit të ri diplomatik evropian, sllovaku Miroslav Lajcak, për të ndërmjetësuar ndërmjet qeverisë e opozitës dhe gjetjen e një zgjidhjeje të krizës që u krijua në Vend pas ndeshjeve të ditëve të kaluara. Burime të BE-së njoftojnë se Lajçak do të jetë nesër në Tiranë.

Në anën e brendshme, kryeprokurorja Ina Rama merr mbështetjen e SHBA për të hetuar ngjarjet e 21 Janarit. Ina Rama: Akuzat për grusht shteti janë politike. Arvizu thirrje politikës shqiptare: Shtyni tubimet. Kryeministri Sali Berisha sulmon Ramen: Zotëria që më rrethoi 5 orë uroj të mos mendojë rrethim tjetër, pastaj përgjegjësitë do ti ketë të plota. Replikon Majko: Berisha po përdor politikisht Forcat e Armatosura.

Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha zhvilloi sot paradite një takim me gjeneralët e ushtrisë shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjatë takimit që kishte në qendër ngjarjet e 21 janarit, Berisha u shpreh se protestuesit e së premtes së kaluar ishin “kriminelë të paguar, të armatosur, me armët më të sofistikuara të grupeve terroriste, të stërvitur javë më parë sipas një plani të hollësishëm, të infiltruar edhe nga ndonjë vend tjetër.”

Më pas kryeministri Berisha tha se ka kërkuar hetim të plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e tre demonstruesve dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Sipas kryeministrit “në një grusht shteti mund të vriten tre, mund të vriten 30, por shteti me dhunë nuk mund të rrëzohet kurrë.[...] Ju si ushtarakë e dini që gardisti ka një rregullore që ai e zbaton. Gjithçka është për hetim. Një gjë është e sigurtë: nëse dikush nuk largohet me shenjë paralajmëruese, nuk do të largohet aty me këmbët e tij.” iu drejtua Berisha gjeneralëve.

Ndërkaq Prokuroria e Tiranës pohon se asnjë ligj nuk lejon të qëllohen protestuesit jashtë rrethimit të kryeministrisë. Gjatë gjithë paradites së djeshme hetuesit e çështjes së 21 janarit kryen verifikime dhe sekuestruan në ambjentet e Gardës së Republikës rregulloren e këtij reparti, ku tregohet ndarja e secilës njësi. Sipas planit të masave, tashmë të sekuestruar nga Prokuroria, Garda e Republikës kishte parashikuar disa masa, por në asnjë rast nuk flitej për përdorim armësh. Në rregulloren e gardës thuhet se kur situata del jashtë kontrollit të policisë dhe protestuesit hyjnë brenda oborrit të kryeministrisë, atëherë Garda qëllon për paralajmërim në ajër. Po qe se agresorët nuk ndalen, atëherë Garda ka të drejtë të qëllojë në drejtim të tyre. Por në rastet e tre të vrarëve del qartë se asnjëri prej tyre nuk ka qenë brenda rrethimit kur është vrarë. Sipas hetuesisë kjo do të thotë se personat që kanë dhënë urdhër për të qëlluar do të ndiqen penalisht. Nga ana tjetër kryeministri Berisha deklaroi se Garda është në gjendje gatishmërie numër një që nga data 21 janar. “Puçi nuk ka mbaruar, shtoi ai, por në çdo çast, çdo tentativë për puç do të marrë përgjigjen e merituar.”

Të premten e ardhshme, opozita do të zhvillojë në Tiranë një manifestim të përmortshëm në kujtim të viktimave të 21 janarit. Ndërsa të shtunën do të zhvillohet manifestimi i krahut që mbështet qeverinë e Berishës. “Ne do të vazhdojmë në rrugën tonë të resistencës pa dhunë dhe po përpiqemi që fjala jonë të arrijë në veshët e botës, dhe po themi qartë: Mos na lini vetëm” u shpreh për agjencinë e lajmeve Associated Press, kryetari i opozitës Edi Rama.
Po sot në Tiranë nisi nga puna edhe komisioni parlamentar që po merret me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, komision ky në të cilin opozita nuk ka pranuar të marrë pjesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.