2011-01-25 19:10:17

Rëndësia e dialogut ekumenik në Tokën Shenjte


(25.01.2011 RV)Papa Benedikti XVI sapo përfundoi kremtimin e Mbrëmësoreve të dyta në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, në Romë. Ky kremtim mbylli Javën e lutjes për baskimin e të krishterëve, e cila këtë vit, u përqendrua në temën “Të bashkuar në dëgjimin e Apostujve, në ndarjen e përbashkët të pasurive, në thyerjen e bukës eukaristike, në lutje”. Për një dëshmi mbi rëndësinë e dialogut ekumenik në Tokën Shenjte, ia drejtuam mikrofonin ipeshkvit anglikan të Jeruzalemit, Suheil Dauani:
Në Jeruzalem janë të pranishme 13 kisha tradicionale, prandaj fryma ekumenike është shumë e fuqishme, siç dëshmojnë edhe takimet e përbashkëta e festimi i të kremteve të mëdha. Takohemi pothuaj çdo muaj për të diskutuar mbi situatën aktuale të të krishterëve e mbi sfidat më të rëndësishme, që duhet të përballojnë Kisha dhe bashkësia e krishterë e Jeruzalemit. Mund të them se marrëdhëniet ndërmjet Kishave të Qytetit të Shenjtë janë të mira.
Kjo ndodh vetëm në nivelin e kryesisë së Kishave, apo edhe ndërmjet besimtarëve të thjeshtë? A i kapin ata përparimet në fushën ekumenike?
Puna më e madhe bëhet nga kryesitë e Kishave, por besimtarët janë vërtet shumë të bashkuar. Në rajonin tonë, këdo të pyesësh se cilës fe i takon, nuk të përgjigjet: “Jam katolik, ortodoks, apo anglikan…”. Ne jemi të krishterë. E jemi shumë, shumë të bashkuar. Gjithsesi, mendoj se nga ana jonë, nga ana e Kishave, mbetet shumë për të bërë.
Si mendoni ju, Jezuralemi mund të ketë ndonjë rol të veçantë për t’a bërë Perëndimin të kuptojë mendësinë e Kishave Lindore, në mënyrë që të kemi një bashkëpunim më të mirë?
Duhet të themi se vërtet roli i bashkësive të krishtera në Jeruzalem është shumë i rëndësishëm, sepse të krishterët kanë jetuar këtu gjithmonë. Ne duhet dhe mund të jemi një urë për të tjerët e kështu kemi qenë në shumë raste, sidomos për fetë e tjera, për hebraizmin dhe islamizmin. Por, mund të luajmë një rol të rëndëishëm edhe për faktin se disa nga Kishat tona, megjithëse janë Lindore, kanë seli edhe jashtë rajonit. Prandaj, këtu në Jeruzalem, mund të bashkojmë Lindjen me Perëndimin. Përveç kësaj, luajmë një rol të rëndësishëm edhe në procesin e paqes, pasi nxisim paqen e pajtimin në këtë anë të botës, duke punuar me fetë e tjera. Prania e krishterë është jetësore për rajonin e për vetë Jeruzalemin.
Perëndimi është më i vetëdijshëm për gjendjen e të krishterëve nëpër botë, por Kishat Lindore duken të bindura se është detyrë kryesisht e tyre të mbrojnë të krishterët e rajonit, në vend që të presin ndihma nga jashtë…
Po përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur për të ndihmuar famullitë e bashkësitë tona. Por me burimet e kufizuara që kemi, është e vështirë t’u bëjmë ballë nevojave. Në këtë moment, përparësi është të mos i lejojmë të rinjtë të braktisin vendin. Vërtet, jemi para emigrimit të tyre në masë. Është e rëndësishme t’i bëjmë të qëndrojnë. Për këtë arsye, për Kishën anglikane, por edhe për të tjerat, edukimi mbetet themelor. Ne përpiqemi t’u japim formimin e përshtatshëm për të qëndruar këtu ku kanë lindur. Natyrisht, kemi nevojë edhe për ndihmën e të tjerëve, sidomos në fushën e edukimit e në atë të arsimit profesional, të cilat i përgatisin të rinjtë të gjejnë punë. Të rinjtë e këtushëm nuk gjejnë punë: prandaj vendosin të ikin.







All the contents on this site are copyrighted ©.