2011-01-25 20:25:30

Papa: bashkimi i të krishterëve është imperativ moral, duhet ecur përpara me dialog


“Udha” drejt bashkimit të të krishterëve “duhet të ndjehet si urdhër moral”, si “përgjigje ndaj thirrjes së qartë e të saktë të Zotit tonë Jezu Krisht”. Kjo është thirrja që Papa Benedikti XVI bëri gjatë kremtimit të Lutjeve Mbrëmësore në bazilikën romake të Shën Palit, që kryesoi personalisht Ati i Shenjtë në festën e Kthimit të Shën Palit, me rastin e mbylljes së Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Në liturgjinë e kësaj Mbrëmësoreje morën pjesë edhe përfaqësues të Kishave tjera të krishtera e të bashkësive kishtare të pranishme në Romë.
“Lypet fituar mbi tundimin e dorëzimit e të pesimizmit”, tha Papa mes tjerash gjatë homelisë. “Detyra jonë është të vijojmë me pasion e bindje udhën tonë drejt cakut të bashkimit me një dialog serioz e rigoroz për të përthelluar thesarin e përbashkët teologjik, liturgjik e shpirtëror; me njohjen reciproke; me formimin ekumenik të brezave të ri e, sidomos, me kthimin e zemrave e me lutje drejtuar Hyjit”.
Sipas Atit të Shenjtë Racinerg, “duhet të jemi mirënjohës”, sepse “gjatë dekadave të fundit”, lëvizja ekumenike “ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, hapa që kanë mundësuar arritjen e përkimeve e të konsensuseve mbi pika të ndryshme, duke zhvilluar mes Kishave e Bashkësive kishtare marrëdhënie vlerësimi e respekti të anasjelltë, si dhe një bashkëpunim konkret para sfidave të botës bashkëkohore”. “E dimë mirë – vijoi Papa – se jemi ende larg nga ai bashkim për të cilin Krishti është lutur e shkëlqimin e të cilit e gjejmë në bashkësinë e parë të Jerusalemit”. E sipas Benediktit XVI, “bashkimi në të cilin Krishti, përmes Shpirtit të vet e thërret Kishën, nuk realizohet vetëm në nivelin e strukturave organizative, por pasqyrohet, në një nivel shumë të thellë, si bashkim që shprehet në “rrëfimin e një feje të vetme, në kremtimin e përbashkët të kultit hyjnor e në përkimin vëllazëror të familjes së Zotit”, pohoi Papa duke cituar dekretin e Koncilit të II të Vatikanit, ‘Unitatis redintegratio’.







All the contents on this site are copyrighted ©.