2011-01-25 12:47:39

Mesazhi i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë pas ngjarjeve të 21 janarit


Ngjarjet e 21 janarit kanë shënuar një tjetër pikë të dhimbshme në ecjen e vendit tonë drejt stabilitetit të plotë social dhe politik. Kisha Katolike në Shqipëri ka ndjekur me shqetësim skenat e dhunës që sollën vdekjen e tre personave dhe tronditjen e tërë popullit, prandaj shpreh dhimbjen e saj për jetët e ndërprera në absurditetin e dhunës që u shfaq në mënyrë të befasishme në rrugët e kryeqytetit tonë.
Në të njëjtën kohë, ne, ipeshkvijtë e Shqipërisë, u bëjmë thirrje atyre që kanë në dorë fatin e vendit, që të lënë mënjanë ambiciet politike e të vihen në shërbim të qytetarëve, me vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për realizimin e aspiratave qytetare për paqe, mirëqenie e dinjitet.
U bëjmë thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave shqiptare, që të mos bien pre e lojërave politike që përdorin dhunën, por me qëndrimet e tyre qytetare t’i japin politikës mesazhin e qartë se të gjithë së bashku duam të shkruajmë një faqe të re në historinë e Shqipërisë, ku pajtimi mbarëkombëtar fiton mbi përçarjet dhe urrejtjet politike.
Në këto momente, kur rrëmbimi i emocioneve rrezikon të errësojë arsyen, i lutemi Zotit që të shndrisë mendjet e të gjithë vëllezërve e motrave në Shqipëri, që të mbledhin forcat për të ndërtuar së bashku udhët e paqes, e të ecim pa ndalesa të kota drejt integrimit të plotë në familjen evropiane.

Zoti e bekoftë popullin tonë me paqe e bashkim.

Ipeshkvijtë e Shqipërisë

Tirane 22, janar 2011
____________________________________________________________________________________________________
Rr.Don Bosko, nr. 4, K.P. 2950, Tiranë, Albania tel/fax +355 4 22 47 159 cealbania_al@yahoo.com







All the contents on this site are copyrighted ©.