Rama shkon tek presidenti: protestë e re më 28 janar
(24.01.2011 RV)Ndërsa Shqipëria qan të vrarët në protestën e 21 janarit në
Tiranë, vendi është i përfshirë nga një debat pa precedent, me tone jashtëzakonisht
të ndezura, për të gjetur kush e ka fajin e për të fituar përkrahjen e bashkësisë
ndërkombëtare. Kjo e fundit, duke filluar nga Italia tek Komisioni Evropian e të tjerë,
pasi dënon dhunën, i bën thirrje politikës të ulet në tryezën e bisedimeve, i vetmi
vend nga ku mund të dalë një zgjidhje e qëndrueshme për situatën e krijuar. Ndërkaq,
sot, Gjykata e Tiranës shqyrtoi aktpaditë për 113 manifestuesit e arrestuar, duke
dhënë vendimin burg 20 ditësh për disa, ndërsa për disa të tjerë, detyrim me paraqitje.
Për gjashtë anëtarë të Gardës së Republikës është lëshuar mandat-arresti, por asnjëri
prej tyre nuk është arrestuar akoma. Gardistët e palgosur mjekohen në kryeministri.
Sot, lideri i opozitës, Edi Rama u takua me presidentin e Republikës, Bamir Topi.
Pas takimit, ai lajmëroi se të premten më 28 janar, opozita do të organizojë një manifestim
tjetër në Bulevardin e Tiranës, në të cilin paqësisht do të protestojë e do të kujtojë
tre të vrarët e javës së kaluar. Nga ana e tij, kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar
Ramën si organizator i një grushti shteti dhe ka lavdëruar sjelljen e policisë e të
forcave të rendit gjatë protestës së 21 janarit. Kuvendi, me votat e mazhorancës e
pa opozitën, miratoi mbrëmë ngritjen e një Komisioni hetimor për ngjarjet e javës
së kaluar.