2011-01-24 19:08:30

Papa në mesazhin për Ditën e Komunikimeve Shoqërore: “Të krishterët në internet, me besim e frymë krijuese”.


(24.01.2011 RV)Të krishterët janë të thirrur të hyjnë në internet me besim e frymë krijuese, sepse i ashtuquajturi “rrjet” është pjesë përbërëse e jetës njerëzore: këtë pohon Papa në Mesazhin për Ditën e 45-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore, titulluar “E vërteta, kumtimi e vërtetësia e jetës në epokën dixhitale”. Dita do të kremtohet më 5 qershorin e ardhshëm, në Solemnitetin e të Shëlbuemit. Sipas traditës, mesazhi u paraqit në festën e Shën Françeskut të Sales, pajtor i shtypit katolik.

Papa e krahason epokën e internetit me shndërrimet e mëdha, që solli revolucioni industrial. Teknologjitë e reja – vëren Ati i Shenjtë – nuk po ndryshojnë vetëm mënyrën e komunikimit, por edhe vetë komunikimin. Po lind një mënyrë e re e të mësuarit dhe e të kuptuarit, me mundësi të panjohura për krijimin e lidhjeve e të bashkimit ndërmjet njerëzve. Kisha nuk mund t’i shikojë me indiferencë mundësitë e jashtëzakonshme, që krijon interneti – thekson Papa - i cili më pas i fton të krishterët të bashkohen në rrjet me besim, me vetëdije, me frymë krijuese e përgjegjësi, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë, që u krijon epoka dixhitale. E jo thjesht për të përmbushur dëshirën e pranisë në rrjet, por sepse ky rrjet është pjesë përbërëse e jetës njerëzore. Web-i po kontribuon për zhvillimin e formave të reja e të ndërlikuara të vetëdijes intelektuale e shpirtërore. Prandaj edhe në këtë fushë – pohon Papa – jemi të thirrur ta kumtojmë besimin tonë se Krishti është Zoti, Shëlbuesi i njeriut e i historisë.
Gjithsesi – shton Benedikti XVI – e vërteta e Ungjillit… e kumtuar në hapësirën virtuale të rrjetit, kërkon gjithnjë të mishërohet në botën reale e në lidhje me fytyrat konkrete të vëllezërve e të motrave, me të cilët jetojmë pranë e pranë çdo ditë. E kjo, sepse ka rrezik të harrojmë kush është i afërmi ynë, të jemi më pak të pranishëm e më të çkujdesur ndaj atij, që e kemi fare pranë. Prandaj mbeten gjithnjë themelore lidhjet njerëzore të drejtpërdrejta në transmetimin e fesë.

Ekziston, pastaj, stili i krishterë i pranisë në botën dixhitale: është fjala për një formë komunikimi të ndershëm e të hapur, plot përgjegjësi e respekt ndaj tjetrit, gjithnjë në përkim të plotë me Ungjillin, edhe kur për të nuk flitet drejtpërdrejt. Është fjala për një stil, që prek zemrat e tund ndërgjegjet, ashtu si bëri Jezusi me dishepujt e Emmausit, të cilëve u priu gradualisht në kuptimin e misterit, duke u bërë i afërmi i tyre, duke dialoguar me ta, duke i bërë, me delikatesë, të shprehnin atë, që fshihnin në zemër.

Duhet edhe të jemi të vetëdijshëm - pohon Papa – se e vërteta që kërkojmë ta ndajmë me të tjerët, nuk duhet vlerësuar duke u nisur nga popullariteti i saj apo nga sasia e atyre, që na ndjekin. Të vërtetën duhet ta bëjmë të njohur në tërësi, pa kërkuar që të tjerët ta pranojnë e, sidomos, pa e zbehur. Në këtë mënyrë besimtarët, duke dëshmuar bindjet e tyre më të thella, japin një kontribut të çmuar që web-i të mos bëhet mjet, i cili e katandis njeriun në kategori, kërkon t’ia manipulojë emocionet ose t’u krijojë njerëzve të pushtetshëm mundësinë për t’i përdorur opionet e të tjerëve për qëllimet e veta.

Papa flet edhe për kufizimet e internetit: njohjen e pjesshme të së tërës, prirjen për të komunikuar vetëm disa pjesë të botës shpirtërore, rrezikun për të krijuar atë mendim për vetveten, që çon në vetëdashje deri në atë masë, sa të përpiqesh të pikturosh një portret artificial publik, e jo më pak, rrezikun e krijimit të një bote paralele, ose prirjes për të kapërcyer çdo masë në ekspozimin vetjak në botën virtuale. Sfida është të jemi njerëz të vërtetë, besnikë ndaj vetvetes e ta përdorim me përfitim arenën dixhitale. Ne, të gjithë, e sidomos të rinjtë, të cilëve Papa u kujton se lidhjet virtuale nuk duhet të zëvendësojnë lidhjen njerëzore të drejtpërdrejtë me personat. E pikërisht që të mos zëvendësohet mundësia për të qenë bashkë, në jetë, me atë të lidhjes përmes internetit, Benedikti XVI u përsërit të rinjve ftesën të marrin pjesë me shumicë në Ditën Botërore të Rinisë, në Madrid, gushtin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.