2011-01-24 16:53:38

Konflikti lind aty ku nuk respektohen të drejtat e njeriut. Intervistë me Mauricio Simonçelin


(24.01.2011 RV)Gjendja është e nderë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Mesdheut. Në Tunizi vazhdojnë manifestimet kundër qeverisë së përkohshme, që i zuri vendin presidentit Ben Ali. Edhe sot, policia ka përdorur gazin lotsjellës, duke shkaktuar një seri protestash të bashkësisë ndërkombëtare e të Bashkimit Evropian, në veçanti. Brukseli e akuzon qeverinë e re se e ka përdorur forcën pa kriter, duke dhunuar standartet më elementare të të drejtave të njeriut. E njëjta gjëndje në Algjeri. Në protestat kundër emergjencës, së shpallur nga qeveria në pushtet, janë plagosur mëse 100 vetë. Sot vdiq algjeriani, që i vuri zjarr vetes më 18 janar. Ishte vetëm 35 vjeç. Të gjitha këto situata, duke përfshirë edhe atë të Shqipërisë, tregojnë se konflikti lind aty ku nuk respektohen të drejtat e njeriut. Të dëgjojmë Mauricio Simonçelin, gazetar italian, që ka përgatitur vëllimin “Aty ku të drejtat e njeriut nuk ekzistojnë më”, publikuar nga shtëpia botuese Ediesse:
Tashmë luftrat përfshijnë së pari popullsinë civile e, gjithnjë e më pak forcat e armatosura, të rregullta apo të parregullta qofshin. Teatër i luftimeve bëhet vendi ku banon popullsia civile, pra qytetet, fshatrat. Madje, popullsia civile bëhet objektivi kryesor i këtyre ndeshjeve, njësoj si terrorizimi i grupit kundërshtar, shkatërrimi i identitetit të tij dhe i kohezionit shoqëror.
Paradoksalisht, pikërisht në këto vende janë përqendruar përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare, për parandalimin e situatave shpërthyese. Siç duket, nuk ia arrin qëllimit…
Duhet të them se Kombet e Bashkuara përpiqen të bëjnë ç’është e mundur për të bllokuar këto fenomene, por përhapja e pakontrolluar e armëve – në veçanti, e armëve të lehta, sidomos në Afrikë – e ndihmon jashtëzakonisht këtë lloj dhune. Mbetemi gjithnjë të shokuar, kur dëgjojmë për ndonjë ushtar, që vritet në Afganistan: por sa janë njerëzit, që vdesin çdo ditë nga bombardimet, masakrat, përdhunimet? Fatkeqësisht, mas mediat japin shumë pak informacion për këtë.
Ndër faktorët, është edhe ai i diskriminimit fetar…
Motivacioni fetar është ndër ato arsye, që përdoren shpesh për të maskuar interesa të tjera, duke shkaktuar konflikte ndërmjet popujve, të cilët kanë jetuar prej shekujsh sëbashku, në të njëjtën tokë.
Tema e mohimit të të drejtave të njeriut ka të bëjë edhe me vendet demokratike e të zhvilluara. Mjafton të kujtojmë emigrantët dhe kthimin e tyre mbrapsht…
Absolutisht po, pasi pas këtyre luftrave të harruara, pas kësaj dhune sistematike, me objekt popullsitë – sidomos gratë e fëmijët – kemi pasojat, kemi shtytjen për të lëvizur, për të ikur, për të kërkuar një jetë më të mirë. Këtu del problemi i kthimit mbrapsht pa kriter, pasi vendet ku shkojnë këta njerëz duhet të mbrojnë të paktën ata, që janë objekt persekutimi, që rrezikojnë jetën, që mund të kërkojnë strehim politik. Por vendet e zhvilluara zbatojnë politikën e kthimit mbrapsht të të gjithëve, pa parë nëse këta njerëz kanë apo jo arsye të largohen nga vendi i tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.