Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: impenjimi serioz i kthimit në Krishtin, është
udha që e çon Kishën drejt bashkimit të plotë të dukshëm.
(24.01.2011 RV)Në Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që do të përfundojë
nesër, Benedikti XVI nënvizoi, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot se ‘impenjimi serioz
i kthimit në udhën e Krishtit, i prin Kishës drejt bashkimit të plotë. Papa theksoi
edhe një herë katër themelet, mbi të cilat të krishterët duhet ta ndërtojnë jetën
e tyre, për ta dëshmuar, kështu, me vërtetësi, Ungjillin e Krishtit. Benedikti XVI kujtoi
se thirrja e Ungjillit për të bërë kthesë, sepse mbretëria e Zotit është afër, mbetet
gjithnjë aktuale: “Impenjimi serioz i kthimit në Krishtin, është udha që e
çon Kishën, kur të dojë Zoti, në bashkimin e plotë të dukshëm”. Shenja që flasin
qartë për këtë udhë ekumenike, janë takimet e shpeshta, që po zhvillohen këto ditë
në mbarë botën. Përveç tyre, sot - siç kujtoi dje Papa - në Romë nisi një sesion
i takimit të Komisionit për dialogun teologjik të Kishës Katolike me Kishat e Lashta
Lindore. E është shumë domethënës fakti – nënvizoi Ati i Shenjtë - që tema e Javës
së lutjes për bashkimin e të krishterëve: “Të bashkuarnë dëgjimin e Apostujve,
në ndarjen e përbashkët të pasurive, në thyerjen e bukës eukaristike,
në lutje”, u propozua nga Kishat dhe bashkësitë e krishtera të Jeruzalemit,
gjatë një takimi me frymë ekumenike: “E dimë sa prova duhet të përballojnë vëllezërit
e motrat e Tokës Shenjte e të Lindjes së Mesme. E shërbimi i tyre bëhet edhe më i
çmuar, sepse përforcohet me dëshmi, të cilat në disa raste, arrijnë deri në flijimin
e jetës. Prandaj, në sa pranojmë me gëzim pikat e reflektimit, propozuar nga bashkësitë
që jetojnë në Jeruzalem, shtrëngohemi rreth tyre, e kjo përbën për të gjithë një
element të ri bashkimi”. Benedikti XVI nënvizoi, më pas, se edhe sot e kësaj
dite të krishterët, që duan të jenë shenjë e mjet i bashkimit të njeriut me Zotin
e njeriut me të tjerët, duhet ta ndërtojnë jetën e tyre mbi katër themele...: “...
mbi themelin e fesë së Apostujve, transmetuar në traditën e gjallë të Kishës, mbi
bashkimin vëllazëror, Eukaristinë e lutjen. Vetëm kështu, duke qenë gjithnjë të bashkuar
thellësisht me Krishtin, Kisha mund ta kryejë me sukses misionin e vet, pavarësisht
nga kufizimet, nga gabimet e anëtarëve të saj e nga përçarjet”. Përçarje
– vërejti Ati i Shenjtë - që nisën në bashkësinë e Korintit qysh në kohën e Shën
Palit Apostull, siç na e kujton Letra II biblike e kësaj së diele, në të cilën Apostulli
i Popujve u bën thirrje Korintianëve: “Ju përbej, o vëllezër, pash Emrin e Zotit tonë
Jezu Krishtit: të jini të gjithë njëmendjeje e të mos ketë përçarje ndër ju, por të
jeni në përkim të plotë në ndjenja e mendime: “Apostulli kishte marrë vesh se
në bashkësinë e krishterë të Korintit kishin nisur grindjet e përçarjet, prandaj,
me vendosmëri të madhe, shton: “Vallë qenka i ndarë Krishti? (1, 13).
E duke u shprehur kështu, ai pohon se çdo përçarje në gjirin e Kishës s’është tjetër,
veçse fyerje që i bëhet Krishtit; e njëkohësisht, se vetëm në Të, që është i vetmi
kryetar e Zot, mund të bashkohemi përsëri, përmes forcës së pashterrshme të hirit
të tij”. Duke ndjekur mësimin e Shën Palit – theksoi Papa - grishemi të braktisim
rrugën e përçarjeve tona e t’i çojmë të gjithëve Lajmin e mirë të Krishtit të ngjallur.
Ta lusim Zotin – tha në përfundim Ati i Shenjtë, duke përshëndetur shtegtarët francezë
– që të arrijë sa më shpejt ajo kohë, kur do ta shikojmë Kishën plotësisht të bashkuar”.