2011-01-22 17:14:56

Shenjtorët e Javës 23 - 30 janar sipas Kalendarit kishtar


Sot, e dielë, 23 janar, Kisha kremton të dielën e 3-të gjatë vitit liturgjik e po më 23 janar bie edhe përkujtimi i shën Emerencianës, martire romake dhe shën Ildefonsit, ipeshkëv i Toledos.
Po kështu këtë të diel bie dita e gjashtë e Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve, na kujtojnë se Zoti i thërret Kishat t’ia shpallin fjalën e tij botës, t’ia çojnë lajmin e mirë atyre që jetojnë në mjerim. Prandaj Kishat nuk mund të heshtin kur forcat e jashtme e pengojnë këtë mishërim të Fjalës në zemrat njerëzore.

Të hënën më 24 janar, kalendari liturgjik përkujton festën e Shën Françeskut të Sales, ipeshkëv i Gjenevës dhe doktor i Kishës, themelues i Urdhrit të Vizitacionit, pajtor i shtypit katolik. Po këtë ditë bie Dita e shtatë e Javës së Lutjes për bashkimin e të krishterëve na kujtojnë se sa më tepër t’i afrohemi Kryqit të Krishtit, aq më shumë i afrohemi edhe njëri-tjetrit. Krishti dha jetën për të gjithë. Jeta e Kishës duhet ta shprehë këtë unitet.

Të martën që vjen 25 janar, bie dita e tetë dhe e fundit e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve dhe festa e Kthimit të Shën Palit Apostull në fenë e Jezu Krishtit, që na kujton se Ai, Shpëtimtari i njerëzimit u ngjall, duke e shndërruar vdekjen në jetë.

Të mërkurën e ardhshme më 26 janar do të kremtohen Shën Timoteu e Shën Titi, ipeshkvij, nxënës të Shën Palit si dhe Shën Paola, matronë romake. Liturgjia e festës së tyre na kujton se Apostujve, të cilët duan të dalin mbi të tjerët, Jezusi u paraqet vetveten si model shërbimi.

Të enjten më 27 janar, sipas kalendarit liturgjik bie përkujtimi i Shën Angela Meriçit, virgjër, themeluese e Orsolineve si dhe Shën Vitalianit papë. Liturgjia e ditës na kujton se derisa kthehen nga misioni, apostujt rrezikohen të bien në triumfalizëm, por Jezusi u kujton se duhet të jenë gjithnjë shërbëtorë të përvujtë të njerëzve.
Të premten që vjen më 28 janar, kalendari Kishtar përkujton Shën Tomën së Akuinit, meshtar dominikan, doktor i Kishës, pajtor i shkollave katolike. Ky teolog i madh i njëmijë e dyqindës, Shën Toma i Akuinit, që dëshmoi me vepra se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ka harmoni të natyrshme.

Të shtunën më 29 janar, Kisha do të kremtojë Shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës dhe Shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë. Na kujtojnë se Krishti kërkon edhe shëlbimin e paganëve e se ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat e ndyrë. Ngjallja e Jezusit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë njerëzimit.

Të dielën e ardhshme, 30 janar, Kisha kremton të dielën e 4-të gjatë vitit liturgjik kishtar, e po më 30 janar, kalendari përkujton edhe festën e Shën Martinës, martire, që na kujton se fuqia që del nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush e prek, kush e takon e e mikpret, fiton nga Zoti jetën e pasosur.







All the contents on this site are copyrighted ©.