2011-01-22 12:48:50

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 3-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Liturgjia e Fjalës e kësaj së diele e shpall Jezusin “dritë të botës”. Nevoja e dritës është ndër gjërat më themelore e të domosdoshme për qeniet e gjalla dhe mund të themi se simboli i dritës është vet shëmbëlltyrë e jetës. Kështu drita bëhet natyrshëm edhe simbol i fesë. Thirrja që Jezusi na bënë në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele për ta ndjekur, kërkon kthimin e njeriut në udhën e Zotit, do të thotë kalimin nga errësira në dritë. Ta dëshmosh me jetë e ta kumtosh ungjillin e tij do të thotë t’ia çosh dritën e Jezusit të gjithëve.
Në ungjillin (Mt 4,12-23) e kësaj së diele kumtimi i afrimit të mbretërisë së Zotit nënkuptohet si çlirim nga çdo formë e së keqes dhe plotësimin e jetës. Në personin e Jezu Krishtit ne zbulojmë se mbretëria e Hyjit në rend të parë është depërtim i dashurisë së Zotit në realitetin e tanishëm e se kjo dashuri i ofrohet të drejtëve dhe mëkatarëve, të gjithëve pa dallim e pa diskriminim, dashuria e Zotit është afërsi që e pajton dhe e bënë të ndritshme jetën. Leximi i parë nga Izaia profet, ( Iz 8,23-9,3) e përforcon këtë orientim: kur gjendemi në mjerim e nën trysni tundohemi të kërkojmë përgjigjet e jetës në idhuj, mirëpo shpëtimi i vërtetë mund të vij vetëm prej Zotit. Edhe bashkimi i ‘popullit të Zotit’ vjen prej Tij, përmes Jezu Krishtit: në leximin e dytë Pali ( 1Kor 1,10-13.17)na fton të rizbulojmë pikërisht pagëzimin, që do të thotë të jesh i zhytur, i shartuar në Krishtin, çka do të thotë ta kërkosh Jezusin si pik e vetme referimi e bashkimi. Atëherë vështruar në këtë dritë, ndarjet e përçarjet mes mesh duken absurditet. Jezu Krishti ka ardhur për të sjell dritën e afrimit e të bashkimit mes njerëzve dhe Hyjit si dhe bashkimin vëllazëror të njerëzve. E për këtë na fton të “kthehemi, se Mbretëria e Hyjit është afër”. Detyra jonë është ta pranojmë me bujari thirrjen apo misionin tonë e të ecim gjurmëve të Mësuesit Hyjnor në dritën e dashurisë e të drejtësisë që Ai na propozon. Jezusi na tregon udhën e dritës e të jetës dhe na thërret të jemi bartës të dritës që buron prej Tij në botë, né mënyrë që sa më mirë e sa më tepër drita e Tij Hyjnore të shndritë zemrat e mendjet e njerëzve.
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të tretë gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, mund të dëgjoni këtu....
Leximi i parë (Is 8, 23- 9, 3)
Profeti Isaia u shpall hebrenjve të poshtëruar dhe të shtypur fundin e pushtimit të huaj dhe fillimin e çlirimit.
Kjo profeci shpallet sot duke iu referuar Ungjillit që do të dëgjojmë.
Jezusi është “Drita e madhe” që shfaqet mes njerëzve të Galilesë.
Lexim prej Isaisë profetNë kohën e kaluar Zoti e përbuzi tokën e Zabulonit e tokën e Neftalit, por në kohën e fundit do ta bëjë të lavdishme udhën përngjat detit, përtej Jordanit, Galilenë pagane. Populli që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; për banorët, që jetonin në krahinën e hijës së vdekjes, zbardhi drita plot shkëlqim.
Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde si njerëzit që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë. Sepse ti e theve si ditën e Madianit zgjedhën e tij të rëndë, guzhmën e krahut të tij, e shkopin e atij që e dëbonte përpara.
Fjala e Zotit
Psalmi 27 (26)
Ref:
Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.
______________

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti më fsheh në tendën e vet
në ditë të vështirë,
______________

Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.
______________

Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
Shpreso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!
_____________
Leximi i dytë (1 Kor 1, 10-13. 17)
Shën Pali qorton të krishterët e Korintit për të keqen e rëndë nga e cila është e goditur bashkësia: Shpirti i ndarjes që vë njërin kundër tjetrit. Ky mëkat kërcënon akoma sot çdo bashkësi të krishterë.
Nuk është i krishteri që mbizotëron Fjalën e Ungjillit, por është Krishti dhe fjala e Tij që kanë fuqi mbi jetën e të krishterëve..

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Ju përbej, o vëllezër, pashë Emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit: jini të gjithë një mendimi e të mos ketë përçarje ndër ju, por të jeni në përkim të plotë me ndjenja e në mendime. Sepse, o vëllezër, njerëzit e Klojes më lajmëruan se mes jush ka grindje. Ja, ku e kam fjalën: secili prej jush thotë: “Unë jam i Palit!” “Unë i Apolit!” “Unë i Kefës!” “Unë jam i Krishtit!”
Vallë, a qenka Krishti i ndarë? A mos u kryqëzua Pali për ju? Apo u pagëzuat në emër të Palit? Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin, madje ta predikoj, jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit.

Fjala e Zotit

ALELUJA,
Aleluja.Jezus predikonte Ungjillin e Mbretërisë,
dhe shëronte në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë Aleluja.
V Ungjilli (Mt 4, 12-23-23)

Ungjilltari Mateu fillon tregimin e shërbimit publik të Zotit Jezus duke kujtuar profecinë e Isaisë të dëgjuar pak më parë, sipas së cilës një dritë e madhe duhej të shkëlqente një ditë në Galile.
Jezusi thërret katër dishepujt e tij të parë dhe i fton të gjithë të kthehen me zemër të re dhe të pastër.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:
“Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit, Galileja pagane, populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.”
Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”
Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër - Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”
Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.
Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Fjala e Zotit
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele të tretë gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, mund të dëgjoni këtu.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.