2011-01-22 17:12:21

Imzot Xhordano: Evropa ka nevojë për dritën e fesë. Gëzim për lumnimin e Papës Gjon Pali II


(23.01.2011 RV)Javën e kaluar, në katedralen e Strasburgut u kremtua një “Meshë për Evropën”, e cila i kushtohej veçanërisht të gjithë atyre, që punojnë e impenjohen në institucionet e kontinentit të vjetër. Nisma u mor nga Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë në Këshillin e Evropës, imzot Aldo Xhordano. Mesha, e kryesuar nga kryeipeshkvi i Strasburgut, Zhan-Pierr Grajè, përkoi me hapjen e mbledhjes së përgjithshme të Parlamentit Evropian. I kërkuam imzot Aldo Xhordanos të na përshkruajë ngjarjen:RealAudioMP3
U çuditëm kur pamë se katedralja e Strasburgut ishte mbushur plot. Ishin aty sigurisht, më shumë se njëmijë vetë, ndër të cilët përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, shumë ambasadorë, gjykatës, anëtarë të Europarlamentit, komisarë të Bashkimit Evropian e pastaj, populli i Zotit, njerëz që tregojnë interes për Evropën: bashkësi rregulltaresh klauzure, që luten rregullisht për Evropën, grupe famullish, që interesohen për vlerat evropiane. Kjo meshë qe vërtet prania e Zotit në realitetin publik.
Kisha përsërit shpesh se për të ndërtuar të ardhmen, Evropa ka nevojë për shpirtin e jo vetëm për rezultate ekonomike. Sipas jush, a janë të ndjeshme institucionet evropiane ndaj kësaj?
Sëbashku me Papën, që vazhdon të ngulë këmbë tek një figurë – figura e dritës – kam përshtypjen se Evropa ka nevojë pikërisht për dritë. Para iluzionit të dritës, para iluzionit, që vazhdon prej kohësh, se jemi “të shndritur” nga arsyeja tekniko-shkencore, para sfidave të mëdha, që ka sot Evropa, vërejmë se ndoshta duhet të kemi guximin e përvujtërinë për t’u vënë në kërkim të dritës. Të kesh nevojë për dritë do të thotë të kuptosh se qielli mbi Evropë nuk duhet të jetë i mbyllur, por i hapur drejt një përmase më të lartë, drejt një horizonti më të gjerë, drejt transhedencës. Nga njëra anë, mundohen ta mënjanojnë fenë, por nga ana tjetër, njerëzit kanë dëshirë e etje më të madhe për ta njohur.
Më 1 maj, Papa Gjon Pali II do të shpallet i Lum. Karol Vojtila ka dhënë një kontribut jo të vogël për bashkimin e familjes së madhe evropiane…
Ajo që ndjeva, edhe këtu në Këshillin e Evropës, në institucionet evropiane, është gëzim, është shpresë, pasi Gjon Pali II njihet si protagonist i Evropës së re. Ai e kuptoi se Evropa nuk do të mbijetonte e ndarë me mur. Duhej kapërcyer muri, duhej marrë fyrmë me të dyja mushkëritë, duhej shkuar përtej ideologjive. Shekullin e kaluar, kemi njohur trishtimin e ideologjive, që e çuan Evropën dhe botën në prag të humnerës e që, në një farë mënyre, deshën ta mënjanonin Zotin e fenë. Po Gjon Pali II tha: Evropa ka nevojë për Zotin, Evropa duhet të rizbulojë rrënjët e saj të krishtera, Evropa duhet të jetë hapësirë e lirisë së vërtetë. Kjo qe fryma, ky qe shpirti, që bëri të kapërcehej muri i tmerrshëm, i cili e ndante më dysh kontinentin tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.