2011-01-22 17:12:03

Europarlamenti miraton mocionin për mbrojtjen e të krishterëve e të lirisë fetare


(23.01.2011 RV)Parlamenti Evropian, i mbledhur të enjten në Strasburg, miratoi me shumicë gati absolute votash rezolutën në mbrojtje të të krishterëve dhe të lirisë fetare në botë. Rezoluta, e nënshkruar nga të gjitha grupet politike, u diskutua pas ngjarjeve të dhunshme e sulmeve kundër pakicave të krishtera në Nigeri, në Irak e në Egjipt.RealAudioMP3
Në tekst dënohet dhuna kundër të krishterëve dhe çdo lloj persekutimi, apo diskriminimi i bazuar mbi fenë. Europarlamenti shprehet i shqetësuar për eksodin e të krishterëve nga vendet e tyre dhe për instrumentalizimin e fesë nga terroristët e të gjitha rajoneve të botës. U kërkohet Komisionit e Këshillit Evropian, si edhe Përfaqësueses së Lartë për punët e jashtme të tregojnë më tepër kujdes për temën e lirisë fetare në marrëdhëniet që nënshkruajnë me vendet e tjera. Sipas europarlamentarëve, zonja Kethrin Eshton duhet të hartojë me urgjencë një strategji të përbashkët evropiane, e cila të parashikojë sanksione kundër shteteve, që qëllimisht, nuk mbrojnë bashkësitë fetare.
Për një koment mbi këtë rezultat të rëndësishëm, të dëshojmë Karlo Kazinin, president i Komisionit Kushtetues së Europarlamentit:
Jam shumë i kënaqur, sidomos për unanimitetin: nuk ka pasur vështirësi të asnjë lloji. Duhet të them se kjo rezolutë hyn në kuadrin më të përgjithshëm të së drejtës për lirinë fetare, e cila nuk është vetëm me karakter intim e personal, por edhe publik e, përfshin të drejtën për të shfaqur publikisht akte kulti. Në veçanti, rezoluta është për të krishterët e persekutuar në të gjithë botën. Ajo u drejtohet, në radhë të parë, qeverive të vendeve, ku kanë ndodhur këto episode. Rezoluta përmbledh rastet e persekutimit dhe i dënon të gjitha sëbashku, duke u kërkuar institucioneve – në veçanti Komisionit dhe Këshillit të Evropës – të shqyrtojë mundësinë e presionit ekonomik mbi këto vende, sepse në të gjitha Traktatet e ndihmës së ndërsjelltë e sidomos në rastin e ndihmës për zhvillim, shkruhet se duhen respektuar të drejtat themelore të njeriut.
Mocioni u miratua pothuaj me unanimitet. Çfarë prisni tani?
Problemi është se Përfaqësuesja e Lartë për Marrëdhëniet e Jashtme, zonja Eshton, në të vërtetë – sipas një mendimi mjaft të përhapur – nuk e ka ngritur sa duhet zërin. Prandaj, pas rezolutës, me të cilën tani e ngrejmë zërin, presim një impenjim më të madh të këtyre vendeve, nga Nigeria tek Egjipti e Iraku e deri në Filipine. Ne e kemi harruar origjinën, traditën tonë të krishterë, kulturën tonë… Në shumë aspekte, mbizotëron tema e konkurrencës, e ekonomisë. Nëse, në një farë mënyre, do të arrinim ta bënim të njohur dëshminë e këtyre martirëve, që janë vrarë në emër të fesë në Krishtin e, nëse me këtë dëshmi do të arrinim të zgjonim reagime brenda nesh, evropianëve, kjo mund të jetë vërtet, ajo që thuhet për martirët e lashtësisë: “Gjaku i martirëve është farë e gjallëri e re”.







All the contents on this site are copyrighted ©.