Editorial i atë Federiko Lombardit: një gjest profetik
(23.01.2011 RV)Fillon të marrë jetë në Londër Ordinariati, i parashikuar nga
Papa Benedikti XVI, për të gjithë ata anglikanë, që duan të kthehen në gjirin e Kishës
Katolike. Këtij argumenti ia kushton komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së
Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë: Më 15 janar,
në Londër, u shuguruan meshtarë tre ish-ipeshkvij anglikanë, të cilët, gjatë muajve
të kaluar, paraqitën dorëheqjen nga Kisha e Anglisë për t’u bashkuar me Kishën Katolike.
U bë kështu hapi vendimtar për ngritjen e “Ordinariatit” të parë, parashikuar në dokumentin
e Benediktit XVI, në nëntor 2009 – “Anglicanorum coetibus” – për ata pastorë dhe besimtarë
anglikanë, që dëshirojnë të hyjnë në Kishën Katolike jo si persona të veçantë, por
si grupe. Në takimin me ipeshkvijtë anglezë, në përfundim të udhëtimit të tij në Mbretërinë
e Bashkuar, Papa e quajti këtë, “gjest profetik, që mund të kontribuojë pozitivisht
në marrëdhëniet ndërmjet anglikanëve dhe katolikëve dhe na ndihmon të shohim qëllimin
e fundit të çdo veprimtarie ekumenike, … bashkimin e plotë kishtar”. Me
rastin e emërimit, Ordinari i parë – njëri nga të tre – falenderoi Papën për besimin,
gruan dhe familjen e tij për mbështetjen, Kishën e Anglisë për gjithçka i ka dhënë,
primatin anglikan, Rouan Uiliams për durimin e mirësjelljen e treguar gjatë rrugës
së gjatë e të vështirë të kalimit në Kishën Katolike. Në një intervistë të gjatë,
krejtësisht spontane, ai kujtoi se si dëshira për bashkim ka lënë gjurmë të pashlyeshme
në jetën e tij si i krishterë, përmendi përvojën e thellë të universalitetit të Kishës
gjatë një audience të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, shprehu gëzimin e një
gjyshi, që mundi të pagëzojë nipin gjatë meshës së tij të parë si meshtar katolik. Pra,
nuk është shenjë ndarjeje, por një urë e vogël në rrugën e gjatë drejt bashkimit të
të krishterëve. Na duket se është vërtet diçka e re dhe e bukur. Urojmë që ordinariati
i ri anglez dhe të tjerët më vonë, të lindin e të shtohen me këtë frymë. I Lumi kardinal
Njuman, pajtor i Ordinariatit, i shoqëroftë dhe i frymëzoftë.