2011-01-20 16:07:29

Çelësi i fjalëve të Kishës: universaliteti sipas mendimi kishtar


(20.01.2011 RV)Të dashur dëgjues, ndodhemi në javën kushtuar lutjes për bashkimin e të krishterëve. Edhe dje, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa vuri në dukje katër shtylla mbi të cilat duhet bazuar dëshmia e përbashkët e të krishterëve, shtylla, që janë pjesë e temës së zgjedhur për këtë vit. Të bashkuar në dëgjimin e Apostujve, në ndarjen e përbashkët të pasurive, në thyerjen e bukës eukaristike, në lutje. Janë katër shtyllat e bashkësisë së parë të krishterë, që akoma nuk ishte ndarë e janë baza e universalitetit të Kishës, e mundësisë së saj për t’ua kumtuar Lajmin e Mirë të gjithë popujve pa përjashtim. Fjala, që do të shpjegojmë në këtë emision, është pikërisht “universaliteti”. Pse Kisha u flet edhe jo të krishterëve?

Në Besëlidhjen e Vjetër duket sikur feja është vetëm për popullin e Izraelit, i zgjedhur si popull i Zotit. Kombet e tjera duket sikur janë armike e të pafe. Vërtet, në Bibël, kemi faqe të tëra me beteja të ashpra e masakra kundër armiqve të popullit hebraik. Është e ashtuquajtura “herem” apo “anatemë”, ploja e shenjtë. Edhe orakujt profetikë janë të ashpër kundër kombeve të tjera. Gjatë leximit të Biblës, nuk duhet të harrojmë se Zbulesa hyjnore është historike, pra Fjala dhe vepra e Zotit ndërthuren me ngjarjet njerëzore, edhe me ato të përgjakshmet.
Por, horizonti drejt të cilit Hyji dëshiron ta udhëheqë popullin e vet është i ndryshëm nga dhuna e kjo shihet që në Besëlidhjene Vjetër. Vërtet, Zoti nuk e zgjedh popullin e Izraelit për t’i bërë një privilegj, por për t’i dhënë një mision. Megjithëse me vështirësi, Jona profet e kupton këtë kur Ninive, kryeqyteti i asirëve, armiq të betuar të hebrenjve, beson në Zot dhe kthehet në rrugën e Tij. Madje, edhe ajo që Zoti i thotë Abrahamit ka natyrë universale: “Prej teje do të bëj një popull të madh dhe do të të bekoj” (Zan 12,3). Profetët i shohin popujt të ngjiten në Sion për të dëgjuar Fjalën hyjnore: “Shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj; një popull nuk do ta ngrejë shpatën kundër një populli tjetër”, thuhet në Librin e Isaisë (2,4). Atëherë Zoti jep këtë bekim: “Qoftë bekuar populli im, Egjipti, edhe vepra e duarve të mia, Asiri, dhe trashëgimi im, Izraeli” (Is 19,25).
Më vonë, vetë izraelitët do të pranojnë në tempull ata të huaj, që kthehen në rrugën e Zotit, siç thuhet gjithnjë në Librin e Isaisë profet: “Do t’i shpie në Malin tim të shenjtë dhe do t’i gëzoj ata në Shtëpinë e uratës sime: flitë e shkrumbimit dhe theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi elterin tim, sepse Shtëpia ime do të quhet Shtëpi urate për të gjithë popujt… Edhe prej tyre do të zgjedh priftërinj e levitë – thotë Zoti” (56,7; 66,21). Kjo perspektivë ekzaltohet më pas në Besëlidhjen e Re, e cila e hap bashkësinë e krishterë edhe për paganët, pavarësisht se mendësia e kohës nuk e lejonte këtë.
Protagonist i këtij universaliteti bëhet sidomos Shën Pali Apostull, përmes impenjimit të tij misionar në rajone të ndryshme të perandorisë romake. Fjalët e tij janë të qarta: “Krishti është paqja jonë, Ai që prej dy popujve bëri një e përmbysi murin ndarës, domethënë armiqësinë”(Ef 2,14). Ose më tej, në Letrën drejtuar Galatasve: “Nuk ka më: hebre-grek! Nuk ka më skllav-i lirë! Nuk ka më mashkull-femër! Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!”(3,28).
E në fund, një mendim i veçantë për mikpritjen e miqve, sidomos kur janë të huaj, traditë, që gjen vend edhe ndër shqiptarë e që i ka rrënjët thellë në historinë e njerëzimit. Ligji i lashtë biblik parashikonte respektin për të huajin. Ai duhej të kishte të njëjtat të drejta me hebrenjtë. Edhe ai pushonte të shtunën e nuk persekutohej, pasi hebrenjtë e kujtonin akoma përvojën e hidhur të përjetuar në Egjipt. Prandaj, në Librin e Levitikut thuhet: “Nëse jeton me ty i huaji, në tokën tuaj, mos e shtypni; por le të jetë ndër ju si vendas dhe duaje si vetveten: edhe ju keni qenë të huaj në dheun e Egjiptit”(19,33-34).







All the contents on this site are copyrighted ©.