2011-01-20 16:50:36

Shtëpia botuese “Mondadori” i dhuron Papës një kopje të Kuranit italisht.


(20.01.2011 RV)Zëvendëspresidenti dhe administratori i deleguar i Shtëpisë botuese italiane “Mondadori” Mauricio Kosta dhe drejtori i Fondacionit “Lorenco Vala”, Pjetro Çitati i paraqitën dje Papës Benedikti XVI një kopje të “Kuranit”, botim i ri kolanës islamike. Lajmin e dha vetë Mondadori duke nënvizuar se Ati i Shenjtë falenderoi dhe shprehu miratimin e tij për këtë nismë kultorore dhe fetare.
“Jam shumë i nderuar që Ati i Shenjtë e pranoi këtë kopje të Kuranit ashtu sikurse në vitin 2006 pranoi edhe një kopje të botimit të posaçëm të Biblës.” – shpjegoi zëvendëspresidenti i Mondadorit, Mauricio Kosta. “Për Mondadorin, kjo ngjarje përfaqëson një vlerësim të mëtejshëm të traditës të botuesit të gatshëm të përfaqësojë të gjitha shtresat e popullsisë dhe të mendimit, në respekt të plotë të pluralizmit të ideve dhe të vlerave.”
“Përkthimet italiane, - nënvizoi drejtori i Fondacionit Vala, Pjetro Çitati, ishin të pakta dhe të dobëta, e as komentet nuk ishin më të mira.” Përkthimi në fjalë është tërësisht i ri dhe është bërë nga pedagogia e Gjuhës dhe Letërsisë arabe pranë Universitetit të Venedikut Ida Xilio-Grandi. Vepra është e pajisur me shpjegimet e duhura e me kompetencë dhe ka si qëllim ta bëjë Kuranin të qartë dhe të kuptueshëm, me një italishte moderne e pa arkaizma që përdoren zakonisht kur përkthehen tekste fetare të lashta. Komentet e gjera, “më të pasurat dhe më të kompletuarat që janë shkruar ndonjëherë në gjuhët perëndimore”, janë bërë nga një grup ndërkombëtar studjuesish si Xilio-Grandi, Mohamed Ali Amir-Moezi, Mohidin Jahia dhe Alberto Ventura. Ato kanë si qëllim të shpjegojnë vështirësitë e shumta dhe dykuptimësinë e tekstit, në mënyrë që lexuesi të kuptojë domethënien e çdo vargu, mundësinë e interpretimeve të ndryshme dhe të historive që ceken por pa u dhënë detajet e nevojshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.