2011-01-20 17:42:16

Sekretari i Lidhjes Arabe Amër Musa flet mbi të ardhmen e përbashkët ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve.


(20.01.2011 RV)“Myslimanët dhe të krishterët e botës arabe kanë jetuar gjithmonë së bashku. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e këtij rajoni na përkasin të gjithëve.” Është kjo një ftesë për mirëbesim dhe dialog konstruktiv shprehur nga sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Amër Musa, në një intervistë telefonike për siti egjiptian ueb të lajmeve “Ahram Online” të cilit i referohet edhe “Bagdadhope”. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe u shpreh mbi problemin e dhunës kundër bashkësive fetare, në veçanti kundër atyre të krishtera, tani në prag të Takimit të Dytë Arab të nivelit të lartë për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror që u çel dje në Sharm El Sheik, në Egjipt e ku marrin pjesë udhëheqës të shumtë nga vendet arabe. Kjo është hera e parë, bën të ditur gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, - që takimi islamik ka si temë lirinë fetare. E në fakt, Musa nënvizoi se tema “e bashkimit ndërmjet popujve arabë” do të diskutohet bashkë me temat kryesore të ekonomisë dhe të zhvillimit.

Në veçanti, shtoi ai, “ajo çka do të propozoj gjatë këtij takimi është që t’a shohim dhunën nga pikëpamja shoqërore” duke vënë në pah nevojën për ta ruajtur trashëgiminë kulturore që kemi krijuar dhe që mund ta mbrojmë nga terroristët”. Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Arabe pohoi gjithashtu se çështja e sulmeve kundër bashkësive fetare brenda botës arabe do të shqyrtohet pavarësisht nga dëshirat e kundërta për ndërhyrje nga ana e vendeve të huaja.” Musa, gjatë ditëve të kaluara kreu edhe një vizitë në Irak për t’u takuar me udhëheqës civilë dhe fetarë vendorë, ndër të cilët edhe ata të bashkësisë së krishterë, në prag të përgatitjeve të Takimit të Lartë në Egjipt. Posë tjerash, ai mori pjesë në Bagdad edhe një Meshë në kishën siro-katolike të Zojës Sonë të Ndihmës së Përhershme, ku më 31 tetorit e kaluar u bë një atentat që shkaktoi 60 të vdekur.

Gjatë vizitës në Irak, Musa dëgjoi edhe dëshmitë e përfaqësuesve të të krishterëve dhe shqetësimet e tyre. Në lidhje me këto ai premtoi më shumë mbështetje në organizimin në mbrojtje të të krishterëve në Lindjen e Afërme, duke vënë në dukje se ka rëndësi që të krishterët mos ta braktisin Irakun “sepse janë pjesë e shoqërisë dhe jo një pakicë që ka nevojë për mbrojtjen e të huajve.” Përpara Irakut, Musa ishte ndalur edhe në Egjipt, ku ishte takuar me Patrikun kopto-ortodoks Shenuda III, e të cilit i shprehu në emër të Lidhjes Arabe, keqardhjen dhe ngushëllimet për viktimat e atentateve në kishën kopto-ortodokse të Shenjtërve të Aleksandrisë së Egjiptit, në atentatin e 31 dhjetorit ku u vranë 23 vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.