(20.01.2011 RV)Atentatet e reja në Irak e në Afganistan vënë në pah se zotërinjtë
e luftës në ato zona janë jashtëzakonisht aktivë. Paradite, në ditën e tretë të atentateve
kundër forcave të sigurisë, në Bakuba të Irakut shpërtheu një autobombë e vendosur
pikërisht para qendrës së policisë së qytetit. Shkaktoi tre viktima, ndër të cilat
një gazetare, dhe rreth 30 të plagosur. Dje, dy atentate në veri të Bagdadit shkaktuan
15 viktima, ndërsa është rritur në 65 të vdekur bilanci i viktimave të pardjeshme
në Tikrit. E njëjta gjendje në Afganistan, ku pas vrasjes së një ushtari italian,
shpërthimi i një mine shkaktoi 13 të vdekur, të gjithë civilë. Nesër, Toni Bler do
të dëshmojë para Komisionit hetimor për luftën në Irak, mes protestave, që parashikohen
në gjithë Evropën, ndërsa në Afganistan shtohen zërat për një infarkt të mundshëm
të liderit terrorist, i njohur si Mullah Omar. Ndërkaq, qeveritë perëndimore shtrojnë
për diskutim çështjen e qëndrimit të kontingjenteve të tyre ushtarake në këto vende,
kaq larg nga demokracia. Për mungesën e sigurisë në Irak e Afganistan, pyetëm eksperten
italiane të terrorizmit, Loreta Napoleoni. Ta dëgjojmë: Besoj se problemi themelor
qëndron në faktin se forcat e koalicionit nuk kanë arritur të fitojnë besimin e shumicës
së popullsisë, prandaj shihen si ushtri pushtuesish. Është e qartë se kjo krijon tensione
brenda shoqërisë, të cilat shfrytëzohen gjerësisht nga ata, që duan ta radikalizojnë
gjendjen. Për më tepër, qeveritë e reja, që kanë ardhur në pushtet, pas të ashtuquajturit
“proces të çlirimit”, janë në të vërtetë, qeveri jashtëzakonisht të korruptuara. Si
është e mundur që Perëndimi nuk ka ditur të gjejë persona me vlerë, që mund ta marrin
në dorë si duhet Irakun dhe Afganistanin? Kjo nuk ka ndodhur, sepse janë afruar
njerëz me moralitet dhe etikë të dyshimtë, që jetonin në SHBA-të, si për shembull,
Çalabi në Irak fillimisht, e Karzai në Afganistan. Këta u vunë në krye të qeverive
të reja e pasojat i shohim sot. Konflikte kaq të gjata, pa ndonjë zgjidhje
të sigurtë, fillojnë ta lodhin opinionin publik perëndimor, i cili i nxit qeveritë
të kthejnë kontengjentet e tyre ushtarake në atdhe e të tërhiqen… Sipas meje,
pasojat do të jenë tepër të rënda. Mendoj se tërheqja nga Afganistani do të krijonte
probleme të mëdha edhe në Pakistan, ku situata, siç e dimë, nuk është aspak e qetë.
Pakistanin mund ta humbasim në këtë mënyrë. Por, njëkohësisht, mbajtja e trupave dhe
vazhdimi i strategjisë së deritanishme nuk çon në përmirësimin e situatës e aq më
pak në demokraci. Prandaj, mendoj se duhet rimenduar e ndryshuar rrënjësisht strategjia
dhe politika e jashtme jo vetëm nga ana e SHBA-ve, por edhe nga ana e të gjitha vendeve
që bëjnë pjesë në koalicion, për të çuar demokracinë e vërtetë në vende si Afganistani,
apo Iraku. Por kjo, do të thotë të paktën një impenjim dhjetëvjeçar.