Filozofia politike dhe nacionale e dr. Ibrahim Rugovës
Njerëz si dr.Ibrahim Rugova lindin rrallë, por nuk vdesin kurrë. Kosova pati
fatin, që në fillim të viteve '90 ta, të futet në politikë nga bota e dijes dhe ideve
të Ibrahim Rugovës, i cili me vizionin dhe filozofinë e tij të fuqishme, u bë lideri
i lëvizjes më të madhe të shqiptarëve për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kështu u tha me 14 janar në fillim të promovimit të një vepre kushtuar Presidentit
historik të Kosovës Ibrahim Rugova në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës,
në kuadër të shënimit të 5-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. "Filozofia politike
dhe nacionale e Ibrahim Rugovës" është titulli i librit të autorit Enver Bytyçi,
i cili u promovua me 14 janar 2011 para një auditori të gjerë, miqve edhe familjarëve
të Ibrahim Rugovës. Por më shumë se për librin me pietet u fol për figurën e madhe
të Ibrahim Rugovës, ku ndër të tjera folësit vlerësuan se vdekja e presidentit Rugova
ishte humbje e pakompensueshme për popullin shqiptar. Historiani Jusuf Bajraktari
tha se studiuesit dhe historianët botërorë, figurën e Rugovës e kanë cilësuar si unikate
jo vetëm në rrafshin ballkanik, por edhe atë evropian dhe botëror. "Personaliteti
i tij (Ibrahim Rugovës) arriti ta shndërrojë në realitet atë që mund të quhet e pamundur
për shumë studiues. Autori në këtë vepër, u qaset aspekteve të shumta që kanë
të bëjnë me periudhën e veprimtarisë intelektuale, politike e shoqëror të Rugovës",
tha Bajrakatari. "Këndvështrimi i autorit në këto koncepte niset nga lindja e deri
në momente fundit të jetës së presidentit që ishin të veçanta për Kosovën", tha ai.
Ndërkaq Don Lush Gjergji tha se vepra e Bytyçit ka mjaft risi sepse trajton figurën
e Presidentit historik të Kosovës, nga disa shqyrtime dhe këndvështrime të ndryshme.
Sipas Gjergjit figura e Rugovës zbulohet nga tri aspekte të reja: filozofike, politike
dhe nacionale, që ndërlidhen, përplotësohen njëra me tjetrën dhe pa të cilat Presidenti
Ibrahim Rugova del i mangët, i cunguar, në rrezik që të trajtohet në mënyrë të njëanshme
dhe jashtë kontekstit filozofik, politik dhe shoqëror. Madje, Gjergji vlerësoi se
vizioni i Ibrahim Rugovës nuk ishte shfaqur ndonjëherë në historinë e të gjitha vendeve
ballkanike. "Ai ishte një lloj lëvizjeje që synonte detyrimin moral, bazuar në vlera,
një lëvizje për çlirimin bazuar në virtyte, në moralin e shoqërisë njerëzore", tha
ai. Në fund don Lush Gjergji theksoi se "njerëz si Ibrahim Rugova, fatkeqësisht lindin
rrallë, por fatbardhësisht nuk vdesin kurrë". Në emër të botuesve të librit, "Faik
Konica" (Prishtinë) dhe "Koha" (Tiranë) shkrimtarin i njohur Nazmi Rrahmani, tha se
autori i veprës në fjalë është një nga studiuesit e mirëfilltë që kishte përcjellë
veprimtarinë e lartë të presidentit të ndjerë që në fillet e studimeve të tij dhe
konstruktoi një vizion aq të qartë që ai kishte për veprën e presidentit të ndjerë.
Rrahmani tha se konstatimet e tij, autori i mbështet në shtypin gjerman për protagonistin,
i cili e ri-konceptoi politikën ballkanike. Ky libër jep përgjigje në shumë pyetje
dhe hap shtigje për studime të mëtejshme. Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së
Kulturës së Shqipërisë, shkrimtari Bardhyl Londo tha se ndihet i emocionuar, por edhe
nderuar me këtë eveniment mjaft domethënës sot në Prishtinë. Ai tha se autori Bytyçi
është "historiani më i spikatur shqiptar i viteve të fundit", i cili me forcat e sprovuara
intelektuale i ka dhuruar historisë një ngjarje shumë të rëndësishme si është promovimi
i sotëm i kësaj vepre studimore. Kjo vepër, shtoi ai, vërteton se historia shqiptare
është një dhe e pandarë. dëshmon se historia shqiptare është një dhe e pandarë. Nëse
ajo do të dilte e copëzuar, do të ishte më e dobët dhe rrjedhimisht më e pafuqishme
ndaj sulmeve e denigrimeve që i bëhen të vërtetës sonë. Andaj kërkohet koordinim gjithëpërfshirës,
siç dele deh nga libri i këtij autori, i cili ka për protagonist një nga figurat më
të çmuara të botës shqiptare. Ndërkaq ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam
Lauka, tha se nuk gabohet nëse e quan Presidentin Rugova, diplomatin e mbarë shqiptarëve.
Për ambasadorin Lauka, presidenti Rugova ishte diplomati numër një i shqiptarëve,
jo vetëm për faktin se ishte sa vizionar e misionar, po aq edhe këmbëngulës në kauzën
e të drejtës së Kosovës për pavarësi. Autori i librit, Enver Bytyçi, ta se kjo vepër
nuk është vetëm një nder për të, por për atë njeri që i dha lirinë dhe ndërtoi shtetin
re ri, Kosovën - për Presidentin historik Ibrahim Rugovën. Pasi foli për idenë
për ta shkruar librin e tij për udhëheqësin shpirtëror të Kosovës e me integritet
të lartë moral, Ibrahim Rugova, ai theksoi se Rugova sfidoi jo vetëm regjimin e Millosheviqit
por të gjitha mitet serbe për Kosovën, pa shkatërrimin e të cilave çdo përpjekje për
ta çliruar Kosovën do të ishte e pamundur. Në fund të këtij promovimit përfaqësuesja
e Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, Fatbardha Lauka familjes Rugova i dorëzoi
çmimin "Faik Konica" me motivacion për farkëtimin e ndjenjave të miqësisë ndërmjet
kombit shqiptar dhe atij amerikan e britanik, të cili e mori djali i Presidentit,
Mendim Rugova.