2011-01-20 16:06:01

Atë Lombardi mbi Al Azharin dhe dialogun ndërfetar: qëndrimi i hapur i Selisë së Shenjtë nuk ndryshon


(20.01.2011 RV)Sipas agjensive të lajmeve, imami i universitetit të Kajros “Al Azhar”, qendra më e madhe e teologjisë së Islamit sunit, ka vendosur të ndërpresë dialogun me Vatikanin, për shkak të fjalëve të Papës Benedikti XVI në mbrojtje të të krishterëve koptë të Egjiptit, pas masakrës së Aleksandrisë. Në një reagim gojor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi deklaroi se “Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar po mbledh informacionet e nevojshme për ta kuptuar më mirë situatën”. Gjithsesi, vazhdoi atë Lombardi, “qëndrimi i hapur dhe dëshira për dialog e këtij Këshilli mbeten të pandryshuara”.
Vendimi i imamit Ahmed El-Tajeb, sqaron një gazetë egjiptiane, u mor pas mbledhjes me urgjencë të këshillit akademik. Al Azhari ka pasur një dialog teologjik të vazhdueshëm me Vatikanin, me takime dypalëshe, çdo dy vjet. Imami El-Tajeb ka qenë shpesh i ftuar në takimet ndërfetare, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit dhe është njëri nga nënshkruesit e letrës së 138 intelektualëve islamikë, e cila i dha shtysë të re dialogut ndërfetar ndërmjet tri feve monoteiste.







All the contents on this site are copyrighted ©.