2011-01-19 16:47:10

Takime në Romë mbi tri fjalime të rëndësishme të Papës


(19.01.2011 RV)Një cikël tri reflektimesh teologjike mbi fjalimet e rëndësishme të Benediktit XVI, në Regensburg, në Paris dhe në Londër. Janë takime të organizuara nga Zyra dioqezane për Baritorinë Universitare, që do të fillojnë nesër mbrëma në orën 20.00, në Pallatin e Vikariatit në Romë dhe do të vazhdojë edhe për dy të enjte të tjera. Nesër do të diskutohet mbi fjalimin e Papës në Regensburg, me pjesëmarrjen e rektorit të Universitetit Papnor Lateranens, imzot Enriko Dal Kovolo dhe të dy pedagogëve nga Universitetet romake “Tor Vergata” e “La Sapienza”. Të dëgjojmë ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Italiane, prof. Çezare Mirabeli, moderator i takimit të nesërm:RealAudioMP3
Ideja nuk është vetëm të lexojmë, por të thellohemi në përmbajtjen e këtyre tri fjalimeve të rëndësishme të Benediktit XVI, të ftojmë botën shkencore, botën akademike t’i marrë seriozisht e t’i diskutojë, duke filluar nga reflektimi teologjik. Kjo do të thotë ndërthurje e kulturës teologjike me kulturën universitare: në vendin tonë lind kjo perspektivë e hapja e këtij diskutimi më duket shumë pozitiv.
A mund të gjejmë një fill, që përshkon të trija fjalimet?
Natyrisht! Rastet janë të ndryshme. Fjalimi në Universitetin e Regensburgut u mbajt në një kontekst plotësisht akademik, madje tepër i veçantë, sepse është universiteti ku Papa ka dhënë mësim si profesor i teologjisë dhe, reflekton për marrëdhëniet ndërmjet fesë e arsyes. Këshillon që arsyeja të mos kufizohet thjesht me eksperimentimin, por të shkojë drejt koncepteve më të zgjeruara. Ai fjalim është vërtet baza e krejt rrugës. Takimi i dytë i kushtohet fjalimit të mbajtur në Paris, që flet për marrëdhëniet me kulturën. I treti, ai i Londrës, bazohet në marrëdhëniet ndërmjet etikës dhe autoriteteve civile. Në të trija ndihet përpjekja për t’i dhënë elementit fetar frymën e lirisë e të kërkimit të së vërtetës, si edhe vendin që ka në jetën e njeriut e në jetën e shoqërisë.
Kujt i drejtohen këto takime?
Këto tri takime bëhen para së gjithash për bashkësitë universitare. Prej kohësh, në Romë, ekziston një punë e përbashkët, jo vetëm ndërmjet universiteteve shtetërore dhe atyre të lira, por edhe me pjesëmarrjen e universiteteve kishtare. Roma është një zonë me prani të madhe universitarësh e lidhja ndërmjet tyre është e çmuar. Gjithsesi, takimet janë të hapura edhe për botën e shoqërisë, të politikës e të institucioneve, pasi priren drej thellimit të këtyre aspekteve për të zgjuar dëshirën e impenjimit, jo vetëm në sektorin formues, por edhe në sektorin politiko-shoqëror dhe ekonomik. Nga ana tjetër, Universiteti nuk mund të jetojë i mbyllur në vetvete e në këtë rast, ai ia hap dyert kontekstit, në të cilin lëviz e punon.







All the contents on this site are copyrighted ©.