2011-01-19 16:47:26

Papa në audiencën e përgjithshme: bashkësia e kohëve të para është model i bashkimit për të krishterët e ndarë të sotëm. Në Kishë nuk duhet të ketë të varfër, as të uritur.


(19.01.2011 RV)Ndonëse plot vështirësi e paqartësi, historia e lëvizjes ekumenike është, njëkohësisht, histori e vëllazërimit. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, kushtuar Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, që filloi dje. Duke folur për ndarjen e përbashkët të pasurive, Papa uroi që asnjë i krishterë të mos jetë i varfër në gjirin e Kishës.RealAudioMP3

Të bashkuar në dëgjimin e Apostujve, në ndarjen e përbashkët të pasurive, në thyerjen e bukës eukaristike, në lutje. Katër shtyllat e bashkësisë së parë të krishterë, asaj, që nuk ishte ndarë akoma, janë edhe shtyllat e udhës së sotme ekumenike. Katekizmi i Benediktit XVI u nis kryesisht nga kjo tezë. Pikërisht në udhën e zanafillës, që hapën paraardhësit në fe – pohoi me forcë Papa - të krishterët duhet të hedhin themelin e palëkundshëm, mbi të cilin, pastaj mund ta ndërtojnë pa frikë bashkimin e dukshëm të Kishës. E në se të krishterët e dymijë vjetëve më parë ishin të bashkuar, ky bashkim mbahej në këmbë pikërisht sepse mbështetej mbi katër shtyllat, katër karakteristikat themelore të Kishës së pandarë, të së djeshmes e të së sotmes. Këto katër karakteristika, që i dallonin të krishterët nga gjithë të tjerët, u zgjodhën si temë-udhëheqëse për Javën 2011. Gjatë audiencës, Papa i kujtoi një për një.
Së pari - pohoi – është e nevojshme të nisemi nga dëgjimi i Ungjillit; e duhet ta dëgjojmë me po atë besim, që patën të dymbëdhjetë shokët e Krishtit:
“Ende sot, bashkësia e besimtarëve e pranon mësimin e Apostujve si normë për fenë e vet: prandaj çdo përpjekje për krijimin e bashkimit ndërmjet gjithë të krishterëve, kalon përmes thellimit të besnikërisë ndaj depositium fidei, të transmetuar nga Apostujt. Qëndrueshmëria në fe është themeli i bashkimit tonë, është baza e unitetit të krishterë”.
Pika e dytë, bashkimi vëllazëror. Ndarja e përbashkët e pasurive - pohoi Benedikti XVI – në historinë e Kishës është shprehur në mënyra nga më të ndryshmet. Një nga më të veçantat, është ajo e lidhjeve të vëllazërisë e të miqësisë ndërmjet të krishterëve të konfesioneve të ndryshme:
Historia e lëvizjes ekumenike, që ka kaluar gjithnjë përmes vështirësish e paqartësish, është edhe histori e vëllazërimit, e bashkëpunimit dhe e ndarjes së përbashkët të vlerave shpirtërore e njerëzore, gjë që i ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme marrëdhëniet ndërmjet besimtarëve në Zotin Jezus: të gjithë jemi impenjuar të vijojmë ecjen në këtë rrugë”.
Por ndarja e përbashkët e pasurive, ka edhe një aspekt tjetër, atë të drejtësisë shoqërore, që Papa e vuri me forcë në dukje, duke shprehur besimin se edhe të krishterëve të sotëm nuk u mungon aftësia për ta ndjerë veten anëtarë të një familjeje të vetme:
“Askush në bashkësinë e krishterë nuk duhet të ketë uri, nuk duhet të jetë i varfër: kjo është detyrë themelore. Bashkimi me Zotin, realizuar si bashkim vëllazëror, shprehet, konkretisht, në impenjimin shoqëror, në dashurinë e krishterë, në drejtësinë”.
I treti nga këto aspekte që, siç e vuri në dukje Papa – nuk i përkasin së kaluarës, por duhet të jenë gjithnjë në bazë të jetës së Kishës, ka të bëjë me “thyerjen e bukës”, domethënë, me kremtimin e Eukaristisë:
“Gjatë kësaj jave të lutjes për bashkimin, ndjehet më shumë se kurrë keqardhja për pamundësinë e ndarjes të së njëjtës sofër eukaristike, shenjë që tregon se jemi ende larg nga realizimi i atij uniteti, për të cilin u lut vetë Krishti. Një përvojë e tillë e dhimbshme, që i jep edhe përmasë pendestare lutjes sonë, duhet të na nxisë për impenjim edhe më bujar nga ana e të gjithëve që, si të jenë zhdukur të gjitha pengesat në rrugën e bashkimit të plotë, të arrijë ajo ditë, në të cilën do të jetë e mundur të bashkohemi rreth sofrës së Zotit, të thyejmë së bashku bukën eukaristike e së bashku të pijmë në të njëjtin kelk”.
Duke folur, në fund, për karakteristikën e katërt, që i dallon të krishterët, për lutjen, Benedikti XVI u ndalua tek lutja kryesore, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, tek “Atyna” në të cilën – vërejti Papa - përemri vetor ‘ne”, përmbledh pikërisht bashkësinë e krishterë, të gjithë të krishterët, të bashkuar si një trup i vetëm:
Është providencial fakti që në udhën për të ndërtuar bashkimin, të vihet në qendër pikërisht lutja: kjo na kujton, edhe një herë, se bashkimi nuk mund të jetë prodhim i thjeshtë i dorës së njeriut. Udha drejt bashkimit të dukshëm të të gjithë të krishterëve ndodhet tek lutja, sepse në themel, bashkimin nuk e ndërtojmë ne, por e ndërton Zoti, vjen prej Tij, prej misterit Trinitar, prej unitetit të Atit me Birin në dialogun e dashurisë, që është Shpirti Shenjt; e impenjimi ynë ekumenik duhet t’ia hapë rrugën veprimit hyjnor, të bëhet thirrje e përditshme drejtuar Zotit për ndihmë. Kisha është e tija, jo e jona!”.
Në fillim të katekizmit, Papa kujtoi se në zanafillën e historisë së krishterë, Shpirti Shenjt i pati bërë njerëz me gjuhë e kultura të ndryshme, një korp të vetëm, që të ishte vend i bashkimit e i dashurisë. Nga këto parakushte – përfundoi Benedikti XVI - rrjedh edhe përgjegjësia e përbashkë, që kanë të krishterët përpara botës:
“Duhet të japim dëshminë e fortë, të bazuar shpirtërisht e të mbështetur nga arsyeja, të një Zoti të vetëm, i cili na u dëftua e na flet në Krishtin, për të qenë mbartës të një mesazhi, që t’a orientojë e t’a ndriçojë udhën e njeriut të kohës sonë, shpesh pa pika të qarta e të vlefshme referimi. Ka rëndësi, atëhere, të rriten gjithnjë më shumë dashuria reciproke dhe impenjimi për t’i shembur të gjitha muret, që i ndajnë akoma të krishterët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.