Me 19 janar kalendari Kishtar përkujton Shenjtorët Marion e Martën me familjarët e
tyre, martirë
(19.1.2011 RV)Sot me 19 janar Kisha katolike përkujton Shenjtorët Marion apo Marjanin
e Martën bashkëshortë dhe fëmijët e tyre, Abakon e Audifaçen, martirizuar në Romë. Emri
‘Mario’ vjen nga etruskja e do të thotë ‘burrë’, por populli beson se është gjinia
mashkullore e emrit femëror ‘Maria’.Dëgjohet edhe në Shqipëri e në Kosovë si në trajtën
e parë, Mario, ashtu edhe në trajtën Marjan. E kjo, sepse kulti që lidhet me Virgjërën
Mari, njihet edhe si kult marian. Shenjti legjendar, Mario, arriti në Romë së bashku
me gruan e tij, Martën e me fëmijët: Abakon e Audifaçen nga Persia e largët për të
nderuar reliket e martirëve, siç bënin shumë të krishterë në atë kohë. Duhet të jetë
nisur për shtegtim rreth viteve 268-270, në kohën e sundimit të perandorit Klaudio
II, kur kishte pushuar përkohësisht persekutimi kundër të krishterëve. Me sa mësojmë
nga data e martirizimit, duhet të jetë vendosur në Romë, ku po përhapej me shpejtësi
të jashtëzakonshme feja re, krishterimi. E aty ishte edhe në kohën kur Diokleciani,
i shtyrë nga konsulli Galerio, shpalli tre edikte, pas të cilave rinisi një nga persekutimet
më të tmerrshme kundër nxënësve të Krishtit. Atëherë Mario e familjarët e tij
u akuzuan se kishin varrosur gjatë rrugës romake Salaria trupat e 260 martirëve, që
kishin mbetur mbi dhe me koka të prera. U dënuan me vdekje për këtë gjest e për fenë
e tyre në Jezu Krishtin. Pësuan të njëjtin fat të njerëzve që kishin varrosur për
shkakun e fesë së tyre në Krishtin Shpëtimtar, duke u martirizuar nën prefektin Flaviani.
Reliket e Shën Marios nderohen në kishat romake të Shën Adrianit e të Shën Prasedes
dhe në manastirin gjerman me arkitekturë romanike të Seligenshtadit.