(18.01.2011 RV)Presidenti i Kinës Hu Zhintao mbërrin sot për një vizitë triditore
në Uashington. Menjëherë pas mbërritjes Zhintao do të shkojë për darkë në Shtëpinë
e Bardhë, jo për ndonjë takim zyrtar, por për një darkë private me presidentin Barak
Obama në Old Femili Dajning Rum. Darka do të jetë e mbyllur për gazetarët, saktësuan
për shtypin bashkëpunëtorët e presidentit Obama. Në një intervistë dhënë dy gazetave
amerikane Hu Zhintao ka pohuar se gjatë kësaj vizite do të përpiqet t’i “forcojë”
marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe SHBA, por pa fshehur faktin se “midis nesh ekzistojnë
disa mosmarrëveshje mbi çështje shumë delikate.” Sidoqoftë disa nga temat më të rëndësishme
mbi të cilat do të flitet janë përqindja e këmbimit të juanit, çështja bërthamore
e Koresë së veriut, ruajtja e drejtpeshimeve strategjike në Pacifik, Tajvan, Tibet
dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. E pikërisht në lidhje me të drejtat e njeriut,
të premten e kaluar, u shpreh edhe Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton e cila theksoi
se sa më shumë t’i shtypë të drejtat Kina, aq më gjatë do të qëndrojë bosh karriga
e çmimit Nobel në Oslo si simbol i premtimeve që një shtet i madh nuk i mban.” Nga
ana tjetër gazeta amerikane Nji Jork Tajms e ka vlerësuar Hu Zhintaon si një nga udhëheqësit
më të dobët të Kinës prandaj edhe nuk mund të priten reforma të mëdha nga ai në lidhje
me të drejtat e njeriut. Vendin e tij, mesa duket, do ta zërë Xi Zhinping. E në fakt
mjetet e informacionit në Kinë po vënë në pah më shumë veprimtaritë politike të Zhinpingut
sesa ato të Zhintaos.