2011-01-18 14:06:27

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve një udhë vëllazërimi e bashkimi


Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, Papa Benedikti XVI na kujton se është Shpirti Shenjt ai që i udhëheq ithtarët e dishepujt e Jezusit në rrugën drejt bashkimit të plotë dhe se lutja është porta kryesore dhe mbretërore e ekumenizmit.
“ Të bashkuar në mësimin e apostujve, në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje” (Vp 2,24)– është tema e Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. Sivjet na kujton 102 e themelimit të Tetëditshes së lutjes, që më pas u bë Javë dhe u kremtua për herë të parë më 18 deri më 25 janar të vitit 1908. Që asokohe lëvizja ekumenike ka bërë një rrugë të gjatë, por shpirti i saj mbetet gjithnjë lutja drejtuar Hyjit, Atit tonë Qiellor, e kjo, sepse bashkimi i të krishterëve nuk mund të jetë tjetër, veçse dhuratë e Zotit, që duhet kërkuar vazhdimisht e me këmbëngulje në rend të parë e sidomos përmes uratës.
Kjo sepse pikërisht nga lutja buron forca për ta lënë veten në duart e Hyjit, që na pastron e na jep hirin t’i bindemi planit të Tij të shëlbimit e të bashkimit. Lutja e ndryshon mendjen dhe mendësinë tonë dhe i ndihmon të krishterët t’i shikojnë të tjerët si vëllezër, bij të të njëjtit Atë Qiellor. Lutja edukon e shoqëron, propozon e transmeton të vërtetën, dritën, jetën, dashurinë, do të thotë Jezu Krishtin, Shëlbuesin e mbarë njerëzimit.
Java e Lutjes Ekumenike e janarit tashmë është bërë praktikë e përbashkët e të gjitha bashkësive e konfesioneve të krishtera dhe ka rëndësi të madhe për pajtimin, vëllazërimin e unitetin e të krishterëve, për realizimin e vullnetit të Jezusit: “që të gjithë të jenë një”. Teksti frymëzues i këtij viti është marrë nga Veprat e Apostujve “ Të bashkuar në mësimin e apostujve, në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje” (Vp 2,24) dhe ripohon pikërisht rolin themelor të të ndenjurit e qëndruarit në bashkësinë vëllazërore të krishterë: “në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje”.
Tema nënvizon se jeta e bashkësisë së krishterë është me të vërtetë e hareshme dhe e mbarë, vetëm përmes jetës së përbashkët, pra në bashkësi vëllazërore e në lutje, e vetëm kështu kontribuon për rritjen e saj shpirtërore, morale, shoqërore e kulturore dhe ndërton ura dashurie, paqeje e shprese. Bashkimi i thellë e i vërtetë me Zotin është udha më e sigurt për të ri-themeluar e për të ri-krijuar bashkimin e besimtarëve në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.