2011-01-17 16:14:52

Të ndezësh cigaren në minierë...(Mendimi katolik për demokracinë)


Demokracia jonë është minuar. E përfaqësuesit tanë më duken si minatorë që, pa menduar fare për pasojat, ulen e pinë cigare në një minierë përplot me gaz shpërthyes. Është gjini e posaçme letrare, ajo që flet fjalë të këqija për politikanët, por ama nuk duhet mohuar se edhe ata bëjnë çmos, që t’i meritojnë. Në ditët tona vërtetohet, më shumë se kurrë, dyshimi i shkrimtarit anglez Robert L. Stevenson,(po, ai i doktor Xhekëll e i mister Hajd), sipas të cilit “politika është i vetmi profesion, që nuk ka nevojë për përgatitje të veçantë”.
Ndërsa filozofi Norberto Bobbio (1909-2004), në letrën e cituar nga ne, drejtuar më 1964 historianit Tamburrano 1 , shtonte edhe një aspekt tjetër: rrezikun që kërcënon një komb të tërë, për shkak të mospërgatitjes, të cektësisë e të mungesës së përgjegjësisë së njëfarë klase politike.
E përsa i përket cigares së ndezur, dëshiroj të citoj këtu fjalët fshikulluese të Indro Montanelit, që thoshte: “Vend i çuditshëm, ky yni. Dënon ata, që shesin cigare kontrabandë, ndërsa ua beson pushtetin shitësve të tymit”. E vijonte: “Kemi dobësi për qeveritarët, të cilët na thonë atë që mendojnë. Do të dëshironim vetëm që edhe të mendojnë nganjëherë, para se të flasin”.
Si i thamë këto, dëshiroj të shtoj edhe mendimin e shprehur nga një politikan krejt i ndryshëm prej atyre, që kujtuam më sipër: Giorgio La Pira (1904-1977): “Të mos përsërisim të njëjtën frazë aspak serioze: politika është diçka e shëmtuar! Jo! Veprimtaria politike është impenjim plot humanitet e shenjtëri; është impenjim, që duhet të drejtojë të gjitha përpjekjet e një jete, të endur me lutje e meditim, me urti e forcë karakteri, me drejtësi e dashuri”. E po të jetë e vërtetë se çdo komb ka ata qeveritarë, që i meriton, ndoshta duhet shtuar edhe se ndershmëria, përgatitja, serioziteti e drejtësia, mbrohen, para së gjithash, duke u nisur nga poshtë!
Sipas Kardinalit Xhanfranko Ravazi
___
1 Giuseppe Tamburrano: historian, gazetar e politikan italian.







All the contents on this site are copyrighted ©.