2011-01-17 16:13:58

Presidenti Shqipërisë Topi dekreton ndryshimet në qeveri.


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dekretoi sot ndryshimet në kabinetin qeveritar, pas dorëheqjes së kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, nga posti i zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Sipas zyrës së shtypit pranë presidencës, Topi dekretoi shkarkimin e Metës nga posti i zv.kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Gjithashtu, Presidenti dekretoi emërimin e z. Edmond Haxhinasto, si zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe emërimin e z. Nasip Naço, ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Pas dorëheqjes së Ilir Metës nga postet qeveritare (14 janar), kryesia e LSI-së propozoi në postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, i cili aktualisht mban postin e nënkryetarit të parlamentit, ndërsa në vend të tij, propozoi z. Vangjel Tavo. Gjithashtu, kryesia e LSI-së propozoi që ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, të marrë edhe postin e zv.kryeministrit.
Menjëherë pas këtij vendimi, Kryeministri Berisha miratoi propozimet e paraqitura dhe i përcolli ato për dekretim tek Presidenti i Republikës.







All the contents on this site are copyrighted ©.