2011-01-17 16:15:22

Kryeipeshkvi Veliò në Ditën Botërore të Emigrantëve: duhet të jemi të vetëdijshëm se bëjmë pjesë në të njëjtën familje njerëzore


(17.01.2011 RV)Siç kujtoi Papa në Lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Kisha Katolike kremtoi Ditën e 97-të Botërore të Emigrantit e të Refugjatit. Tema e sivjetme ishte “Një familje e vetme njerëzore”, zgjedhur nga Benedikti XVI për ditën e themeluar nga Papa Piu X në vitin 1914. Por cilat janë vendet më të interesuara për fenomenin e emigrimit e cilat janë shkaqet e këtij eksodi? Përgjigjet në mikrofonin tonë, kryetari i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, imzot Antonio Maria Veliò:RealAudioMP3
Sipas të dhënave të fundit të Kombeve të Bashkuara, emigrantët e rregullt në botë janë rreth 214 milion. Vlerësohet se 15-20 milion të tjerë janë pa dokumenta. Këtyre u duhen shtuar 15 milion refugjatë, ndërsa emigrantët brenda vendit të tyre, sidomos për shkak të dhunimit të të drejtave të njeriut, arrijnë në rreth 27 milion. Rajonet, nga ku nisen më shumë njerëz, janë pa dyshim, Afrika subsahariane, Lindja e Mesme, krejt Azia Juglindore e shumë vende të Amerikës Latine. Pra, gati të gjitha vendet janë prekur nga ky fenomen e mund të jenë zona origjine, destinacioni, apo tranzicioni të emigrantëve. Shkaqet janë nga më të ndryshmet. Në nivel lokal e kombëtar: kërkimi i një të ardhmeje më të mirë, varfëria, papunësia, krizat ekonomike e politike, konfliktet politike e shoqërore, uria e luftrat. Në nivel botëror, dua të kujtoj sidomos çekuilibrin ekonomik ndërkombëtar, degradimin e ambientit, dhunimin e të drejtave të njeriut, mungesën e paqes e të sigurisë.
Në këtë skenar, cilat janë situatat, që e shqetësojnë më shumë Kishën dhe dikasterin, që ju drejtoni në Vatikan?
Tashmë, prej javësh, ndjekim me ankth fatin e shumë emigrantëve me kombësi eritree, etiopike, somaleze dhe sudaneze, që dhunohen, torturohen e përndiqen nga banda kusarësh në Egjipt e në vendet kufi. Këtu kemi edhe lidhje ndërmjet trafikantëve dhe krimit të organizuar, që administron “tregun e zi” të organeve njerëzore. Gjendja është e keqe edhe në Bregun e Fildishtë e në Sudan, të cilat i detyrojnë njerëzit të ikin, ndërsa vendet e pasura bëjnë një lloj lufte të ftohtë ekonomike për të marrë sa më shumë nga pasuritë e Afrikës. Ndërkaq, vazhdon kalvari i refugjatëve irakianë, të emigruar në Evropën Veriore, nga ku autoritetet kthejnë mbrapsht me forcë edhe ata që kërkojnë azil politik. Kështu po ndodh në Britaninë e Madhe, në Francë, në Hollandë, në Norvegji e në Suedi, pavarësisht se kjo praktikë është dënuar nga Bashkimi Evropian. Nga viti 2008 e deri më sot, rreth 5 mijë irakianë janë kthyer vullnetarisht në atdhe, por mëse 800 janë dërguar mbrapsht në kundërshtim me dëshirën e tyre. Pastaj, në kronikat e fundit, lexojmë për tragjedinë e mijëra të zhvendosurve për shkak të fatkeqësive, shkaktuar ose nga natyra, ose nga administrimi i keq i territorit nga ana e njeriut. Vërtet, kemi tashmë shumë viktima, pas përmbytjes në qytetin e Brisbejnit, për shembull. Qyteti i tretë më i madh i Australisë u shndërrua në një “zonë vdekjeje”, por drama e përmbytjeve luhet edhe në verilindje të Australisë. Në Brazil, shumë persona kanë mbetur pa shtëpi pas shiut të rrëmbyer, që shkaktoi shumë rrëshqitje dheu në qytetet në majë të maleve, që rrethojnë Rio De Zhaneiron. Përmbytjet kanë goditur edhe Sri Lankën, ku burime qeveritare informojnë për 351 kampe për të zhvendosurit, numri i të cilëve i afrohet 130 mijëshit, ndërsa numri i të gjithë njerëzve, që kanë pësuar dëme nga përmbytjet, arrin në 860 mijë. Pa harruar, së fundi, se në Indonezi, të paktën 11 mijë vetë janë akoma nëpër kampe, pas përmbytjeve të shkaktuara nga shiu i përzier me rërë e gurë vullkanikë, që prishi rrugët e dëmtoi shumë fshatra. Përpjekjet e Kishës për të ndihmuar këto popullsi janë të shumëfishta: vijnë ndihma ekonomike nga shumë vende e madje edhe Papa, përmes Këshillit Papnor Cor Unum, ofron solidaritetin e tij. Por, këtu, dua të kujtoj thirrjen për respektimin e të drejtave të emigrantëve, që bëri pak ditë më parë, kryeipeshkvi i Lèon dhe kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Meksikës, imzot Hosè Guadalupe Martin Ràbago. Ipeshkvi denoncoi dhunën dhe përndjekjet kundër emigrantëve, që përpiqen të shkojnë në SHBA-të, përveç kritikws për abuzimet e autoriteteve e të forcave të sigurisë, për sekuestrimin e emigrantëve të parregullt dhe për rritjen e pushtetit të kriminalitetit të organizuar. Në Kahuites, gjatë muajit dhjetor, u rrëmbyen 50 emigrantë, për të cilët nuk dihet akoma asgjë, ashtu si për emigrantët afrikanë të gadishullit Sinai.







All the contents on this site are copyrighted ©.