2011-01-17 17:35:35

Dita e reflektimit hebraiko-kristian, në kryevjetorin e vizitës së Benediktit XVI në Sinagogën e Romës.


(17.01.2011 RV)U kremtua sot Dita e reflektimit hebraiko-kristian me temë: “Nderoje babën tënd e nënën tënde”. Themeluar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, realizuar që nga viti 1990 në Itali, kjo Ditë kremtohet çdo vit, për të thelluar dialogun, vëllazërimin e miqësinë. Sivjet merr një kuptim të veçantë, sepse kremtohet në kryevjetorin e vizitës së parë, historike, të Benediktit XVI në sinagogën e Romës. Për këtë kryevjetor kaq të rëndësishëm, flet, në mikrofonin tonë, imzot Mansueto Bianchi, kryetar i Komisionit të KII për Ekumenizmin e Dialogun:

Përgjigje: - Është ditë reflektimi, njohjeje, lutjeje, që i parapin Javës për bashkimin e të krishterëve e më duket se ka një vend vërtet strategjik. Njohja, thellimi, dialogu me hebraizmin janë, për të gjitha kishat e për të gjitha bashkësitë kishtare, një mundësi edhe për ta njohur më mirë vetveten e për të fuqizuar lidhjet e bashkimit njëra me tjetrën. Dita kushtuar lidhjeve me hebraizmin është një dhuratë e vërtetë.

Pyetje: - Që nga viti 2005 ditët e hebraizmit i kushtohen Dhjetë urdhërimeve të Tënzot. Sivjet, dashurisë e respektit që duhet të ketë çdo njeri për babën e për nënën…

Përgjigje: - Në një stinë kulturore, në një kohë kur familja është vërtet e brishtë, kur propozohen modele të tjera familjare e vetë familja ka nevojë të mbështetet fuqimisht, urdhërimi i Zotit “Ndero babën tënd e nënën tënde, që ta kesh jetën e gjatë përmbi dhé”,” i shërben pikërisht fuqizimit të familjes, promovimit të modelit të familjes së vërtetë, ashtu si e dëshiron vetë Zoti.

Pyetje: - Sot u kremtua edhe përvjetori i parë i vizitës së Benediktit XVI në sinagogën e Romës….

Përgjigje: - Ngjarje me rëndësi të madhe, edhe pse vuri theksin mbi antisemitizmin, formë e egër e racizmit, që çoi në ngjarjet e mirënjohura kriminale të shekullit të njëzetë. Vizita e Papës në sinagogë ishte shprehje e përpjekjes për thellimin e dialogut ndërmjet hebraizmit e katolicizmit, të cilin punojmë ta çojmë përpara me përpjekje të përbashkëta.

Gjithnjë për të kujtuar vizitën e Benediktit XVI në bashkësinë hebraike romake, intervistuam Kryrabinin e Romës, Rikardo Senji:

Përgjigje: - Ishte një ngjarje tejet e rëndësishme. Ndonëse pas saj ndjehej një atmosferë jo aq e qetë e paqësore, gjithçka shkoi mbarë e mirë e përfundoi me kënaqësinë e të dyja palëve. Shënoi, kështu, një etapë të rëndësishme për vijimin e takimit ndërmjet dy feve. Një vit pas vizitës, duken tashmë edhe frytet. Vetë kjo Ditë, që po kremtohet sot, është një fryt i vizitës së Papës në sinagogë. Ndonëse nga të katër anët arrijnë sinjale, që do të dëshironin ta bllokonin, ta pengonin takimin miqësor ndërmjet hebrenjve e të krishterëve. Por, fatmirësisht, nuk mungojnë as sinjalet e bashkëpunimit e të gatishmërisë për të ecur në udhën e dialogut.

Për këtë dialog flet, në mikrofonin tonë, edhe rabini Elia Riketi, kryetar i Asamblesë së rabinëve të Italisë:

Përgjigje: - Është dialog i bazuar mbi rrënjët e historisë së përbashkët, që nuk mund të shlyhet e që ka kuptim të rëndësishëm për shumë arsye: për të luftuar kundër injorancës e kundër paragjykimeve, por edhe në favor të bashkëpunimit për realizimin e projekteve të nivelit botëror.







All the contents on this site are copyrighted ©.