Takimi i Papës me Trupin Diplomatik. Intervista me ambasadorin e Shqipërisë, Rrok
Logu
Liri fetare për të gjithë. Këtë kërkoi Papa më 10 janar, në fjalimin drejtuar Trupit
Diplomatik, të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, duke denoncuar dhunën kundër të
krishterëve e duke kërkuar masa efikase për mbrojtjen e pakicave fetare dhe etnike
kudo në botë. E drejta e lirisë fetare është e para ndër të gjitha të drejtat njerëzore:
çdo shkelje e saj përfaqëson një plagë të rëndë kundër dinjitetit dhe lirisë së njeriut
e prandaj përbën një kërcënim real ndaj paqes. Para diplomatëve të akredituar
në Vatikan, Benedikti XVI shpjegoi rolin e Kishës Katolike në kontekstin ndërkombëtar,
në mbrojtje të paqes. Prania e saj aktive e plot respekt për kompetencat e autoriteteve
civile bazohet në bindjen se vetëm Zoti i përgjigjes zemrës së njeriut e prandaj përmasa
fetare e këtij njeriu nuk mund të mohohet apo të kufizohet. Ky është themeli mbi të
cilin ngrihet ajo, që e quajnë politika e Vatikanit, e cila nuk kërkon privilegje,
por vetëm liri për misionin e Kishës. E duke përshkruar kontributin që një Kishë
e lirë mund të japë në botë, Papa dha shembullin e jashtëzakonshëm të së Lumes Nënë
Terezë e përmendi respektin që ajo gëzon në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Indi e kudo,
nga të gjithë, pa dallim e pa përjashtim: “Simbol për këtë është figura e së
Lumes Nënë Terezë të Kalkutës: njëqind vjetori i lindjes së saj u kremtua në Tiranë,
në Shkup e në Prishtinë, ashtu si në Indi; homazhe prekëse i bënë asaj jo vetëm Kisha,
por edhe autoritetet civile e krerët e tjerë fetarë, pa llogaritur besimtarët e të
gjitha konfesioneve. Shembuj si i saji i tregojnë botës sa dobiprurës është për gjithë
shoqërinë, impenjimi që lind nga feja”. Për këtë arsye, vazhdoi Ati i Shenjtë,
asnjë shoqëri nuk duhet të privohet nga kontributi themelor i njerëzve dhe i bashkësive
fetare. Pikërisht për këtë takim të rëndësishëm me Trupin Diplomatik pranë Selisë
së Shenjtë, i morëm një mendim ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Vatikan,
Shkëlqesisë së Tij, Rrok Logu. Ta dëgjojmë në intevistën e don David Gjugjës...................00:07:12:24