Papa Gjon Pali II do të shpallet i Lum, më 1 majin e këtij viti
(14.01.2011 RV)Papa Gjon Pali II do të shpallet i Lum, më 1 majin e këtij viti.
Festa, që i hap kështu rrugën shenjtërimit të tij, bie pikërisht në të dielën e Mëshirës
Hyjnore, e kremte, që Karol Vojtila e deshi fort dhe e themeloi vetë. Benedikti XVI
nënshkroi sot paradite dekretin, që i atribuon një mrekulli ndërhyrjes së Gjon Palit
II. Lumnimi i këtij Pape, të dashur për shumë njerëz, bëhet gjashtë vjet pas vdekjes,
më 2 prill të vitit 2005. E jo më larg se më 13 maj 2005, pak javë pas zgjedhjes në
fronin e Shën Pjetrit, Papa Benedikti XVI, para klerit romak të mbledhur në bazilikën
e Shën Gjonit në Lateran, deklaroi hapjen e procesit të lumnimit. Dokumentat, që janë
shqyrtuar gjatë kësaj periudhe, përfshijnë 27 vjetët e papnisë dhe krejt jetën e një
figure, që ka lënë gjurmë në historinë e Kishës e në atë të botës së shekullit të
kaluar.